Votimi në Parlamentin e Hungarisë për ratifikimin e pranimit të Suedisë në NATO është shtyrë për shkak të mos pranisë së përfaqësuesve të partisë në pushtet, raporton Anadolu, transmeton Fol Drejt.
Partia qeverisëse ka shumicë prej dy të tretash në Parlament dhe për shkak të mungesës së tyre nuk ka mundur të mbahet seanca. Gazeta “Daily News Hungary” raporton se opozita kritikoi veprimet e partisë hungareze në pushtet.
Javën e kaluar, Hungaria tha se do të mbështesë vendimin e Türkiye-s për çështjen e pranimit të Suedisë në NATO.
“Nëse ka ndryshim (në qëndrimin e Ankarasë), atëherë sigurisht që ne do të mbajmë premtimin tonë se Hungaria nuk do të frenojë asnjë vend në drejtim të anëtarësimit”, deklaroi ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto në një konferencë për media në Budapest.
Përpara samitit të NATO-s në korrik, presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan pranoi që t’i përcillte aplikimin e Suedisë për t’u bashkuar me NATO-n Parlamentit turk pas takimit trepalësh me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe kryeministrin suedez Ulf Kristersson në kryeqytetin lituanez Vilnius.
Finlanda dhe Suedia aplikuan për anëtarësim në NATO menjëherë pasi Rusia nisi luftën kundër Ukrainës në shkurt 2022.
Të gjithë anëtarët, përfshirë Türkiye-n, kanë miratuar anëtarësimin e Finlandës në NATO ndërsa për pranimin e Suedisë, Ankaraja kërkon që Stokholmi të përmbushë detyrimet e saj për të mos u dhënë strehë terroristëve dhe mbështetësve të terroristëve dhe për të mos lejuar aktivitetet e tyre.