Nën organizimin e disa pjesëtarëve të shoqërisë civile në vend sot është mbajtur një protestë në kryeqytet, si kundërshtim për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Po ashtu, edhe Partia Socialdemokrate i ka ftuar qytetarët për të protestuar, këtë të shtunë, për kauzën e njëjtë.
Zgjim Hyseni nga ky subjekt në Info Magazine të Klan Kosovës i ka treguar se cilat janë arsyet se pse duhet të protestohet. Ndër to, ai e ka përmendur edhe 75 milionëshin e Qeverisë Kurti për të subvencionuar konsumatorët e energjisë, që sipas tij, kjo është hipokrizi.
“Së pari është loja e kryeministrit me institucionet e pavarura që e kemi dëgjuar në Kuvend. Derisa e kemi një raport konsultativ të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, ku aty janë të kalkuluara edhe paratë që do t’i jep qeveria. Në njëjtën kohë, kryeministri Albin Kurti del në Kuvendt dhe thotë se nuk mundet të ndikojë në ZRrE. Ndërkohë, Qeveria veçse ka marrë vendim për t’i ndarë 75 milion euro, kjo është hipokrizi”.
“E dyta deklarata e kryeministrit në Kuvend ku thotë se njerëzit nuk e kanë ditur sa kanë paguar rrymë, sepse sipas tij ishte kaq e lirë, kjo është skandaloze. Në momentin kur e merr të drejtën me thënë se njerëzit nuk dinë sa e paguajnë rrymën. Kjo i bie që unë kam të drejt secilin që më kundërshton mua ta konsideroj si borgjez, ndërkohë të varfëritë po i mbroj”.
“E treta është blloktarifa, në mënyrën që është propozuar është përpjekje për t’i manipuluar njerëzit. Ato kategorizimet me kilovat, nuk janë përkthim i një stratifikimi shoqëror”, ka thënë Hyseni.
Tutje, ai ka shtuar se PSD-ja është e angazhuar për të bërë sa më shumë presion ndaj institucioneve për të ndikuar që të mos merret vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, njofton Klankosova.tv.