Burri i akuzuar për therjen me thikë të shkrimtarit Salman Rushdie thuhet se ka lexuar vetëm dy faqe të romanit kontravers “Vargjet satanike”.
Hadi Matar, 24 vjeç, është deklaruar i pafajshëm për akuzat që rrjedhin nga sulmi në një ngjarje në Nju Jork javën e kaluar.
Në një intervistë me New York Post nga burgu, Matar tha se Salman ishte “dikush që sulmoi Islamin”.
Por ai nuk konfirmoi se veprimet e tij të supozuara ishin nxitur nga një dekret i lëshuar nga Irani në vitet 1980.
Matar aktualisht po mbahet në burgun e qarkut Chautauqua, në shtetin e Nju Jorkut.
Sir Salman botoi romanin e tij të famshëm dhe të diskutueshëm “Vargjet satanike” në vitin 1988, duke shkaktuar zemërim në mesin e disa myslimanëve, të cilët e konsideruan përmbajtjen e tij si blasfemi.
Publikimi i librit nxiti liderin iranian Ayatollah Ruhollah Khomeini të lëshonte një dekret, duke bërë thirrje për vrasjen e shkrimtarit në vitin 1989.
Matar i tha New York Post se kishte lexuar vetëm “disa faqe” të librit dhe nuk tha nëse dekreti e kishte frymëzuar atë.
“Unë e respektoj Ayatollahun. Mendoj se ai është një person i madh. Kjo është aq sa do të them për këtë,” tha ai.
Matar gjithashtu i tha gazetës se ishte “i befasuar” kur dëgjoi se Salman i kishte mbijetuar sulmit.
“Nuk më pëlqen ky person. Nuk mendoj se ai është një person shumë i mirë. Nuk më pëlqen shumë”, tha Matar, sipas gazetës. “Ai është dikush që sulmoi Islamin, ai sulmoi besimin e tyre, sistemet e besimit”.