Nga: Alpin Ollogu
Ndër vite, rryshfeti, pandërgjegjshmëria dhe joprofesionalizmi i prokurorëve dhe gjyqtarëve të gjykatave dhe prokurorive themelore dhe atyre të apelit, janë mbuluar nga institucioni i Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëvë në Maqedoninë e Veriut. Ata të cilët duhet të ishin gardianë të ligjit, gardianë të interesave publike për mbikqyrje mbi zbatueshmërinë ligjore të ushtrimit të detyrës së prokurorëve dhe gjyqtarëve të vendit, në fakt kanë bërë të kundërtën. Këshillat kanë bërë të kundërtën për dy arsye esenciale: e para, për nga përgatitja e dobët profesionale, gjë e cila i vendos në pamundësi të vlerësojnë gjendjen, mbi atë se kur një gjyqtar apo prokuror ka shkelur ligjin. E dyta, për nga karakteri korruptiv, me karakter të cilin interesi dhe qëllimi nuk ka qenë puna për të cilën janë zotuar, por përfitimi personal duke i shërbyer krimit, politikës dhe karrierës se tyre. Përjashtuar pjesën e ndershme dhe profesionale të subjekteve të drejtësisë, por për fat të keq, pakicë dhe pa ndikim në rrjedhën e drejtësisë funksionale të shtetit.
Në lidhje me kompetencat, sipas nenit 31 të Ligjit për Këshillin gjyqësor, Këshilli gjyqësor ndër të tjerash: Emëron dhe shkarkon gjyqtarët; Emëron dhe shkarkon kryetarët e gjykatave; Ndjek dhe vlerëson punën e gjyqtarëve; Vendos për masë disiplinore ndaj gjyqtarëve; Vërteton jo-profesinalizmin dhe pandërgjegjshmërinë e ushtrimit të detyrës së gjyqtarëve; Vendos për marrjen e imunitetit të gjyqtarëve; Vlerëson punën dhe raportet tremujore dhe njëvjecare të gjyqtarëve; Proporozn dy gjyqtarë për Gjykatën Kushtetuese nga radhët e gjyqtarëve; Shqyrton raportin vjetor të Gjykates Supreme; Vepron – procedon për parashtresat dhe ankesat e qytetarëve dhe personave juridik për punën e gjyqtarëve dhe gjykatave…“
Në realitet, çfarë ka bërë dhe çfarë bën Këshilli gjyqësor, bashkë me atë prokurorial të kompetencave të ngjashme, kanë qenë dhe mbeten mbulesë e krimit brenda sistemit gjyqësor. Mbeten në shërbim të garniturës qeverisëse, shërbim për të cilin shpërblehen në forma të ndryshme. Jo se nuk ka pasur dhe nuk ka gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm, megjithatë, pjesa e madhe është dëshmuar se i takojnë grupacionit tjetër, atij që ka mundësuar të mbijetojë dhe zhvillohet kriminaliteti, përfshirë këtu edhe subjektet e drejtësisë me keqpërdorimin e detyrës së tyre zyrtare. Mjafton të shikojmë se me çfarë përbërje kanë punuar Këshillat gjyqësorë sot, me Zoran Teofilovska, po në qeverisjen e kryeministrit Zaev, ‘reformatorit të drejtësisë“, osë më saktë ‘manipuluesit me drejtësinë“, i cili kur flet për gjyqësorin, të duket sikur flet “e ëma e Zeqos në majë të thanës“.
Të bësh pastrim në gjyqësor (si zëvendësim i vetingut) me gjyqtarë si Zoran Teofilovski, anëtarin e Këshillit gjyqësor të tanishëm, i cili kërkohet nga policia me urdhër të Prokurorisë për krim të organizuar, për veprën penale keqpërdorim të detyrës zyrtare, me dyshim për legalizim dhe privatizim të paligjshëm të tokës – duke dëmtuar buxhetin e shtetit me 860 mij euro, është idiotësi në katror. Mos ndoshta kryeministri në largim, deshi të na demonstrojë në ditët e fundit të vitit dhe ndoshta të pozitës së tij kryeministrore në jetën politike, se ja po fillojmë pastrimin në gjyqësor. Në fakt, kryeministri ka shkaktuar efektin bumerang, na dëshmoi se gjithë këto vite, edhe të qeverisjes së tij, zemra e sistemit të drejtësisë, këshillat gjyqësor, jo që kanë qenë joprofesional dhe të pandershëm, por në përbërje, paskan edhe të atillë që tashmë ndiqen për vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, gjë të cilën jo se nuk e dinim, por thjesht kërkojmë verifikimin e tyre për të dalë në pah pasuria e vënë me mashtrime, e pjesës së konsiderueshme të subjekteve të drejtësisë. Atë verifikim të lehtë që bëri Prokuroria për krim të organizuar, për njërin prej anëtarëve të Këshillit gjyqësor (kjo me direktivën e udhëzimeve kryeministrore, ndoshta).
Zotëri kryeministër në largim, nëse këshillat e tu gjyqësor, një ditë, do ti vendosnim në sitën e vetingut, ata do të dilnin shumë më keq se Zoran Teofilovski, dhe kjo vetëm në kriterin e pasurisë, se me atë të profesionalizmit gjatë punës, me gjasë, shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve, do duhej të shkarkohen nga sistemi dhe të mos ju mundësohet as ushtrimi i profesionin të avokatit. Për më shumë, të ndiqeshin edhe penalisht, siç po kërkon faktori ndërkombëtar nga shteti fqinj. Kujtojmë që ky anëtar i Këshillit gjyqësor i cili po kërkohet nga policia, ka ushtruar disa vite profesionin e avokatit. Duket që ka qenë sekser i aftë, siç një pjesë e madhe e avokatëve në vend, të cilët mjerisht kërkojnë të mbijetojnë dhe ndjekin hapat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, lakminë për para me anë të rryshfetit, në kurriz të drejtësisë shoqërore.
Nuk mund të presësh drejtësi në një shtet, kur absurditeti dhe hipokrizia e krerëve të drejtësisë, e udhëheqësit “reformator” që ka marrë përsipër reformën në drejtësi, është në kulminacion . Këtë më së miri e tregon frika e cila ka zhveshur edhe turpin më minimal të Krerëve të Këshillave gjyqësor, të krerëve të Këshillit të shoqatës së gjyqtarëve dhe Gjykatës supreme, të cilët deklarohen hapur kundër vetingut në drejtësi. Ata, ashtu si kryeministri i tyre, duan një veting të lehtë, një pastrim, një fllad të lehtë kontrolli, që t`ja kalojnë paq. Duan në këtë mënyrë, të luajnë teatër reforme drejtësie, prokuroria e përgjithshme e kryemnistrit, me ndonjë anëtar apo gjyqtar që e ka ne fokusin e saj, apo do ta bëjë kurban të politikave ditore, drejtësinë e shtrigave.
Nuk mund të presësh drejtësi në një shtet, ku Këshillat gjyqësor dhe prokurorial, vihen në shërbim të mbulimit të rryshfetit dhe joprofesionalizmit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të gjykatave dhe prokurorive themelore dhe atyre të apelit. Drejtësia e vërtetë do të fillonte së pari me vetingun e plotë mbi këto këshilla, pastrimin e tyre, si dhe plotësimin me kuadër të aftëë e të moralshëm, që realisht nuk i mungojnë këtij vendi, por thjesht duhet të dalin në pah si rezultat i reformës se pritur. Reformë, të cilën nuk mund ta bëjnë paçavrat e zënë myk ndër tempuj, do thoshte poeti i mjerimit, Migjeni.
Shpresojmë që 2020 të jetë viti i drejtësisë, dhe jo viti i paçavrave të tempullit të drejtësisë. Kështuqë, sa herë krimi brenda gjyqësorit e përsërit veten, me rishfaqje të fytyrës se vërtëtë, ne duhet t’ju rikujtojmë “reformatorëve” të vërtetën e premtimeve dhe konceptin e tyre hipokrit për qasjen ndaj sistemit të drejtësisë, me qëllim që të marrin mësim, ose të ndëshkohen me votë, në zgjedhjet parlamentare të 12 Prillit të 2020-s, dhe kurdoqofshin ato.