Një tragjedi e madhe ka arritur të parandalohet në Pejë.
Mësohet se një i mitur, 16-vjeçar po planifikonte vrasjen e shokëve dhe shoqeve të klasës së tij, përcjell Fol Drejt.
Për fat të mirë autoritetet kanë ndërhyrë në kohë dhe kanë parandaluar ngjarjen.
Për këtë ngjarje zv.ministri i Brendshëm i Kosovës, Taulant Kelmendi është shprehur:
Jemi të indinjuar me lajmin se një 16-vjeçar në Pejë dyshohet për planifikimin e vrasjes së shokëve dhe shoqeve të klasës.
Është e rëndësishme që autoritetet kanë reaguar në kohë për të parandaluar një tragjedi të madhe.
Siguria në shkolla është thelbësore për të krijuar një mjedis të sigurtë shoqëror, për çka duhet të angazhohen të gjitha institucionet, familjet dhe shoqëria.
Në reagimin e saj Policia e Kosovës, njofton se i pandehuri është ndaluar dhe ndaj tij është bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
Njoftimi i policisë:
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se është ndaluar i pandehuri me inicialet B.M. për shkak se në periudhë kohore disamujore ka bërë plane dhe është përgatitur për ndërmarrjen e një sulmi të gjerë ndaj disa nxënësve të një shkolle në Pejë.
Me këto veprime i pandehuri B.M. kishte për të kryer veprën penale ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’, nga neni 138 lidhur me nenin 129 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Prokurori i Prokurorisë Speciale, gjatë ditës së sotme ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, si dhe, ndaj të njëjtit Gjykata kompetente ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh./FolDrejt/