William Burns, i nominuari i presidentit amerikan Joe Biden për të udhëhequr Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA), u ka thënë ligjvënësve më 24 shkurt se “testi më i madh gjeopolitik” për Shtetet e Bashkuara vjen nga Kina, mirëpo ka deklaruar se edhe Rusia përbën kërcënim. Burns, ish-ambasador në Rusi dhe Jordan, i ka bërë këto deklarata gjatë seancës së konfirmimit të tij në këtë pozitë, para Komitetit të Senatit për Inteligjencë.
Ai e ka quajtur Kinën “të frikshme dhe kundërshtare autoritare”, që është duke rritur fuqinë për të vjedhur pronën intelektuale, për të shtypur njerëzit e saj, dhe për të ndërtuar ndikim brenda Shteteve të Bashkuara.
Megjithatë, ai ka thënë se mund të ketë hapësirë për bashkëpunim me Pekinin, në fushat si ndryshimet klimatike dhe mospërhapja e armëve bërthamore.
Ai ka thënë se Rusia vazhdon të përbëjë kërcënim potencial, ndonëse në disa aspekte është duke i rënë fuqia botërore.
“Për aq kohë sa Vladimir Putin është lider i Rusisë, ne do veprojmë në një fushë të ngushtë të mundësive, kundrejt konkurrencës së ashpër të kundërshtarit”, ka thënë ai.