Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vizituar sot Komunën e Skenderajt në kuadër të vizitave nëpër komunat e Kosovës.
Krasniqi u shpreh i kënaqur që qeverisja e re në Skenderaj që udhëhiqet nga PDK po jetësohet duke i realizuar zotimet e bëra në fushatën zgjedhore para qytetarëve të kësaj komune.
“Pamje e re dhe moderne për sheshin e qytetit në Skenderaj. Parking nëntokësor, park në qendër të qytetit, rivitalizim i të gjitha shesheve kryesore dhe rrugëve të Skenderajt, me buxhet tërësisht vetanak të komunës dhe pa asnjë mbështetje nga qeveria aktuale qendrore. Në këto dhe shumë projekte të tjera e gjetëm të angazhuar Kryetarin e Skenderajt, Fadil Nurën me ekipin e tij, në vizitën që kishim sot”.
“Jashtëzakonisht i inkurajuar nga energjia dhe dinamika e punës së kryetarit Nura, nënkryetarit Lushtaku dhe ekipit të tyre, që po e rikthen zhvillimin dhe besimin e qytetarëve të Skenderajt për të ardhmen. Si kryetar dhe si parti, ne do të jemi afër në secilin hap të kryetarit Nura që ai do të ndërmarr në avancimin e qeverisjes lokale me fokus te qytetarët. Por, është e pakuptimtë se si Qeveria e Kosovës po i bllokon investimet kapitale në komuna, duke i diskriminuar qytetarët e vendit tonë”, ka shkruar Krasniqi në rrjetin social Facebook.