Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka pyetur emisarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, se edhe sa gjatë do të jenë të diskriminuar shqiptarët nga Lugina e Preshevës, pasi sipas tij, ata integrohen më shumë në Serbi.
Ndërsa ka theksuar se “pakica serbe në Kosovë ka krijuar sisteme paralele të paligjshme dhe shkel në mënyrë flagrante Kushtetutën e Kosovës, duke gëzuar privilegje dhe të drejta ekzekutive superiore.
“Diskriminimi i shqiptarëve nga Lugina e Preshevës është rritur, pasi ata integrohen më shumë në Serbi. Nga ana tjetër, pakica serbe në Kosovë ka krijuar sisteme paralele të paligjshme dhe shkel në mënyrë flagrante Kushtetutën e Kosovës, duke gëzuar privilegje dhe të drejta ekzekutive superiore. Sa gjatë?”, ka shkruar Arifi në Twitter, ku ka ndarë postimin e Lajçakut nga takimi me përfaqësuesit e komunitetit serb të Kosovës.
Emisarët Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar kanë vizituar këtë javë Kosovën dhe Serbinë, me qëllim të shmangies së tensioneve mes dy vendeve.
Kritika për emisarët që nuk kanë takuar ende të zgjedhurit e shqiptarëve në Serbi ka pasur edhe ish-kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani./21Media