Një kanadez i akuzuar për vrasjen e katër anëtarëve të një familje muslimane me automjetin e tij në Londër të Ontario së Kanadasë, është deklaruar i pafajshëm, raporton BBC, transmeton Fol Drjet.
Nathaniel Veltman, 22 vjeç, akuzohet se ka shënjestruar me dashje familjen për shkak të besimit të tyre, duke i goditur për vdekje ata në vitin 2021.
Atij i janë ngarkuar katër akuza për vrasje të shkallës së parë dhe një akuzë për tentativë vrasje.
Akuzat e tij për vrasje përfshijnë akuza për terrorizëm, që do të thotë se prokurorët duhet të provojnë se veprimet e tij ishin të paramenduara dhe të qëllimshme, por edhe të motivuara nga një shkak politik, fetar ose ideologjik.
Tre breza të familjes Afzaal u vranë, duke lënë vetëm një të mbijetuar.
Salman Afzaal, 46 vjeç dhe gruaja e tij Madiha Salman, 44; vajza e tyre Yumna Afzaal, 15 vjeç; dhe nëna e Z. Afzaal, Talat Afzaal, 74 vjeç, u mbytën ndërsa po shëtisnin në mbrëmjen e 6 qershorit të vitit 2021. Djali nëntë vjeçar i çiftit u plagos rëndë, por mbijetoi.
Madiha dhe Salman kishin ardhur në Kanada nga Pakistani për një të ardhme më të mirë, tha një burim për BBC.
Veltman u arrestua menjëherë pas sulmit në një parking afër xhamisë më të vjetër të Londrës, ku familja Afzaal ishin anëtarë të përkushtuar.
I dyshuari kishte veshur atë që dukej të ishte parzmore dhe helmetë, tha policia.
Sulmi nxiti një valë pikëllimi e frike në të gjithë Kanadanë, ndërsa komuniteti musliman i ngushtë i Londrës vajtoi humbjen e një familjeje të dashur.
Ndërsa filloi përzgjedhja e jurisë, Abd Alfatah Twakkal, i cili kryeson Këshillin e Imamëve të Londrës, foli jashtë gjykatës.
“Nesër, më 6 shtator 2023, shënon saktësisht 27 muaj që kur një tragjedi e tmerrshme goditi komunitetin musliman në Londër”, tha ai.
“Shpresa jonë është që ne mund të vazhdojmë të këndellemi si komunitet dhe të arrijmë një nivel shërimi për humbjen, në përfundim të këtij gjykimi.”
Gjyqi i Gjykatës së Lartë pritet të zgjasë rreth tre muaj./FolDrejt/