Një 55 vjeçar, i cili ishte i dënuar në Itali, me 25 vjet e 8 muaj burgim për trafikim të lëndëve narkotike, u arrestua në Durrës, me qëllim ekstradimin.
Policia informoi se 55-vjeçari ishte i kërkuar ndërkombëtarisht.
“Në vijim të punës për kapjen e personave të kërkuar kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, në bashkëpunim me Interpol Tirana, në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinatat”, bënë kapjen dhe arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin, të shtetasit në kërkim ndërkombëtar: -Edmond Kanakçiu (Kondakçiu), 55 vjeç, banues në lagjen nr., 13 Durrës, pasi autoritetet gjyqësore të Perugia-s, Itali, pas dhënies së vendimit për dënimin e 55-vjeçarit me 25 vjet e 8 muaj burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kanë lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar në ngarkim të tij.”, informoi Policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme./21Media