Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Raphael Mariano Grossi ka bërë thirrje që të kalohet menjëherë në veprim për të shmangur një aksident të mundshëm bërthamor dhe të garantohet siguria e centraleve bërthamore në Ukrainë.
Në një video-mesazh të publikuar nga Twitteri, Grossi foli kryesisht për situatën në Zaporizhzhia, centralin më të madh bërthamor në Evropë si dhe lidhur me objektet e tjera bërthamore në Ukrainë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Grossi tha se rendi dhe siguria i të gjitha objekteve bërthamore në këtë vend janë elementi më i rëndësishëm që shqetëson Agjencinë dhe se inspektorët e IAEA-së ndodhen me detyrë në këtë objekt për të ofruar ndihmë dhe mbështetje.
Ndërprerje të energjisë elektrike në 4 centrale bërthamore në Ukrainë
Grossi tha se po shënojnë përparim në drejtimin për të formuar një zonë ku ruhet rendi dhe siguria përreth objektit Zaporizhzhia.
“Por, derisa bota është fokusuar mbi situatën e rrezikshme lidhur me Zaporizhzhian, centralin më të madh bërthamor në Evropë, ne nuk duhet të harrojmë objektet e tjera bërthamore të vendit. Dje për herë të parë 4 centrale bërthamore që operojnë në vend, humbën burimin e jashtëm të energjisë. Të gjithë këto humbën lidhjen me linjën kryesore të energjisë elektrike. Këto centrale u detyruan të përdorin gjeneratorët e situatës emergjente me qëllimin për të siguruar energjinë elektrike të nevojshme për sigurinë dhe rendin bërthamor”, tha ai.
Grossi theksoi se ky zhvillim ka shkaktuar shqetësim serioz. Ai rikujtoi rëndësinë e 7 pikave kryesore lidhur me sigurinë e centraleve bërthamore dhe nënvizoi se pikat në fjalë duhet të merren parasysh në mënyrë që centralet bërthamore në vend të mos përballen më me një situatë të ngjashme.
Kreu i IAEA-së, Grossi tha se autoritetet ukrainase kanë kërkuar nga agjencia ndihmë dhe mbështetje për 5 objekte bërthamore, përfshirë edhe Çernobilin. “Kjo detyrë e ndihmës ka filluar. Duhet të bëjmë çdo gjë për të parandaluar aksidentin bërthamor në cilindo prej centraleve bërthamore. Një situatë e tillë vetëm shton dhimbjen e tmerrshme që dëshmojmë në Ukrainë. Tani është koha për të kaluar në veprim”, shtoi ai./FolDrejt/