Delegacioni nën kryesimin e kryetarit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) Rafael Mariano Grossi, u nis drejt centralit bërthamor Zaporizhzhia për të kryer inspektime.
Përpara nisjes së delegacionit në rajon, forcat ukrainase të sigurisë mbërritën në hotel dhe kryen kontrolle me qen detektorë në automjetet që do të përdorë delegacioni i IAEA-së, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Para largimit nga hoteli u vërejt se anëtarët e delegacionit veshën jelekë anti-plumb me mbishkrimet e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Kreu i IAEA-së, Grossi në një deklaratë për gazetarët para nisjes nga hoteli ku qëndrojnë në Zaporizhzhia tha se përfshirë mëngjesin e sotëm në rajonin ku ndodhet centrali bërthamor Zaporizhzhia janë rritur aktivitetet ushtarake dhe se para nisjes autoritetet ushtarake ukrainase e kanë informuar atë lidhur me situatën në rajon.
Ai bëri të ditur se rreziku i sigurisë në rajon është serioz por që janë nisur në këtë rrugë. “Ka një detyrë shumë të rëndësishme që duhet ta përfundojmë. Do të fillojmë menjëherë vlerësimin e situatës së sigurisë dhe të rrezikut në central”, tha Grossi.
Pas deklaratës së tij delegacioni u nis nga qyteti Zaporizhzhia drejt centralit nën shoqërimin e policisë ukrainase.
– Centrali më i madh bërthamor në Evropë
Centrali bërthamor Zaporizhzhia që ndodhet në juglindje të Ukrainës llogaritet si centrali më i madh bërthamor në Evropë.
Me gjashtë reaktorë bërthamorë dhe një kapacitet për prodhimin e energjisë elektrike prej 5.700 megavat-orë, centrali plotëson 20 për qind të prodhimit të energjisë elektrike në Ukrainë.
Centrali u mor nën kontroll nga Rusia më 4 mars. Përreth centralit, i cili aktualisht është nën kontrollin e ushtrisë ruse, ndodhin sulme artilerike. Ukraina dhe Rusia akuzojnë njëra-tjetrën lidhur me këto sulme./FolDrejt/