Zlatan Ibrahimovic dhe Milan do të jenë sërish bashkë, të paktën deri në fund të këtij sezoni.
Pas marrëveshjes së arritur për firmën mbi kontratën e re, sulmuesi 39-vjeçar ka mbërritur pak para mesnatës në aeroportin milanez të Linates, për të rinisur aventurën me kuqezinjtë.
Gjatë paradites së sotme Ibra do t’u nënshtrohet tamponit dhe disa testeve mjekësore e fizike, para se të vihet nën urdhrat e trajnerit Stefano Pioli, për të nisur përgatitjet për sezonin e ri, ku kuqezinjtë do të synojnë rikthimin në zonën Champions.
“Jam shumë i lumtur. Më në fund gjithçka është në rregull dhe mund të kthehem në vendin ku ndihem si në shtëpinë time. Tani duhet të vihemi në rresht dhe të vijojmë punën që kemi nisur më herët. Koha për nxehjen ka mbaruar dhe tani duhet të marrim rezultatet”, deklaroi suedezi kur mbërriti në Milano.
Pavarësisht se ka 39 vite mbi shpinë, sulmuesi është i bindur që mund të kontribuojë shumë në fushën e blertë dhe këtë e bën të qartë me deklaratën e tij, ku thekson se nuk ka ardhur për të bërë maskotën.
“Nuk jam këtu për të qenë thjesht një maskotë, por për të ndihmuar skuadrën të arrijë atje ku duhet të jetë. Në 6 muajt e fundit bëmë shumë mirë, por nuk fituam asgjë. Këtë vit e nis sezonin nga fillimi dhe duhet të arrijmë objektivat. Përshëndes tifozët dhe shpresoj t’i shoh sa më shpejt në stadium. Duhet ta bëjmë “San Siro”-n të kërcejë”, tha Ibra.