Ibrahim Selamet: Dalja nga Prekazi
PËRKTHEU NGA TURQISHTJA: FATIJONA BAJRAJ
Nuk është fare e lehtë të shkruaj historinë e gjyshit tim Zejnullah Prekazit. Mbase nuk jam i denjë të shkruaj unë për të, mirëpo në anën tjetër po e ndjej vetën të detyruar ta shkruaj historinë e tij. Nëse gaboj diku i kërkoj ndjesë shpirtit të tij.
Nuk e di përse po më mërzitë fakti që në këtë pjesë po shkruaj për gjyshin tim. Kjo mërzi ka disa arsye, arsyen kryesore do ta tregoj në pjesën në vazhdim ku do të rrëfej për humbjen e copëzës së familjes tonë, tezën F….
Njëra nga sprovat më të mëdha që gjyshi im ka pasur në jetë sigurisht që është ajo me vajzën e tij të madhe F….
Gjyshi im i njohur në rreth si prirës i një familjes së madhe kaloi nëpër sprova/ sfida të mëdha.
Në njërën anë ka qenë i shtypur nga presioni Jogusllavo-Serb në anën tjetër vdekjet e papritura të vëllezërve të tij dhe vejushat e jetimët e mbetur iu ngarkuan atij shpirtërisht. E më e dhimbshmja është përballur edhe me urrejtjen, mërinë e tradhtinë e fqinjëve. Krejt në fund e ka përjetuar edhe migrimin.
E konsideroj si një detyrë shpirtërore që më ka rënë hise të shkruaj, ta kujtoj me falënderim dhe mirënjohje kujtimin e shenjtë për gjyshin tim qoftë edhe shumë vite më vonë. Gjyshi im Zejnullah Prekazi, i njohur në rreth nga miqtë e armiqtë me emrin tregtar Zejnullah Hanxhia, në vitet 1950 posedonte dy dyqane në Prekaz dhe Skenderaj.
Gjyshi im ishte pronari i një odës në të cilën bënin konak hanin e pinin shumë udhëtar të largët, pleqnar, tregtar e burrështetas. Ishte fetar dhe dorëlirë gjyshi im. Në çdo natë të madhe lexonte Mevlud për Pejgamberin (a.s).
Vitet 1955-1956 ishin shumë të vështira për Zejnullah Prekazin për shkak që u detyrua të ndahet nga fshati i tij.
Gjyshi im ishte njëri nga prijësit më të pasur të Prekazit, u nda nga Prekazi duke lënë pas vetës 400 hektar tokë që askush nuk ia di saktë vendin.
Në viti 1959 familja e tij e përbërë nga tetëmbëdhjetë anëtar detyrohet të shpërngulet në Turqi.
Derisa gjyshi im po jetonte në pasurinë e tij në Prekaz, vëllai i tij Abdullahu i përndjekur nga shteti Serb iku për Turqi duke lënë vetëm gruan Zahiden bashkë me vajzën tri javësh Shefikën.
Vëllai i tij tjetër Ajeti, bie dëshmor duke luftuar kundër partizanëve dhe gruaja e tij Fazilja mbetet e ve bashkë me vajzën një vjeçare Ajshen e cila mbeti jetime.
Pas të gjitha këtyre vjen në fshat xhenazja e Hamzait nipit të tij dy javë pa e përfunduar ushtrinë. Pas Hamzait, mbeti nëna e tij Mihanja, gruaja Zahidja dhe djali i tij Muhamedi katër vjeçar. Shtëpinë e gjyshit tim ku kishin mbet nëna e madhe bashkë me tri gra të veja, vjehrrën plakë, tre jetim, dajët e mi të pa martuar, fëmijët tjerë, nëna dhe tezja ime, e kishte kapluar zia.
Edhe pse posedonin mall dhe pasuri, toka e male, gjyshit tim i ishin këputur krahët nga mungesa e meshkujve. Shikimet plot mllef të fshatarëve e rrethojnë shtëpinë. Gjyshi e jep nuse tezën time të bukur në një fshat afër por, fatkeqësisht tezja ime ikë nga aty dhe kthehet përsëri në shtëpi. Kjo ndodhi bëhet pika e fundit që e bartë gota.
Gjyshi im nuk mund të qëndrojë tashmë në fshatin ku lindi dhe jetoi, në Prekaz. Në vitin 1956 e braktisë Prekazin dhe zhvendoset në Mitrovicë bashkë me familjen e tij të madhe. Aty bleu një shtëpi dy katesh pranë ndërtesës së komunës, menjëherë në anën e djathtë me pamje nga ura. Daja im Zeqiri filloi të ushtronte zanatin e berberit. Ndërsa daja im Fejzullahu fillon të ushtroi zanatin e ………..
Familja e gjyshit përjetojnë shumë goditje dhe zhgënjime nga fqinjët të cilëve ua kishin shitur tokat në Prekaz. Ata gjysmën e parave i kishin dhënë ndërsa gjysmën tjetër kurrë. Pas vendosjes në Mitrovicë gjyshi im përjeton shumë shtypje të regjimit të asaj kohe dhe kushtet e tilla e bëjnë atë që të aplikojë për migrim drejt Turqisë bashkë me familjen e tij.
Gjyshi im merr vendim të migrimit me qëllim që t’i mbrojë anëtarët e familjes së tij.
Në të njëjtën periudhë kohore edhe Çerkezet që jetonin në Stanovc kishin filluar të migronin drejt Turqisë. Gjyshi im kishte blerë një shtëpi në dalje të varrezave të Stanofcit drejt xhamisë. Në rast se nuk do mund të dilte në Turqi do të vendosej aty. Nuk kalon shumë kohë dhe tezja ime F…. martohet me një çerkez të atij fshati. Sprova e gjyshit tim me bijën e tij ende nuk kishte përfunduar. Burri i tezës time pas dy vitesh migron drejt Turqisë bashkë me familjen e tij mirëpo tezen time e lë në shtëpinë e gjyshit dhe nuk kthehet më kurrë. Mbase caktimi, kaderi do që tezja ime pas disa vitesh të takohet me burrin e saj çerkez përsëri në Stamboll. Është e dhimbshme sepse do ndryshojë edhe jeta e tyre pafundësisht edhe e gjyshit tim.
Dokumentacionet e migrimit u dalin shumë shpejt. Në vitin 1959 Zejnullah Prekazi bashkë me familjen e tij nisin migrimin me tren drejt Turqisë nga Mitrovica, për të mos u kthyer më kurrë.
Pas rrugëtimit që zgjatë diku rreth tre ditë kur zbresin në stacionin Sirkeci, data është 28 tetor.
Gjyshi im kishte nxjerr në shitje shtëpinë e tij në Mitrovicë sa ishte ende aty. Një serb kishte shfaqur interesim për ta blerë. Pagesën ia kishte dhënë në kesh në dorë dhe i kishte thënë: Zejnullah nëse në Turqi punët nuk të shkojnë mbarë dhe dëshiron të kthehesh, kjo shtëpi është e jotja. Do të ta kthej ty përsëri.
Jeta nuk ia dha më një mundësi të tillë. Gjyshi im ndërroi jetë katër vite pasi që u shpërngul në Stamboll dhe nuk e pa më kurrë vendlindjen e tij Kosovën.
Shtëpia në Stankofc ndanë fatin e njëjtë me atë në Prekaz. Fatkeqësisht që edhe personi që bleu nga gjyshi im shtëpinë dhe tokën në Stankofc nuk ia paguan paratë.
Sipas disa dëshmitarëve ia kishte sjellë paratë në stacion të trenit mirëpo ata tashmë vetëm se kishin hipur dhe kur treni ishte nisur e kishin parë vetëm nga xhami. Gjoja se do të ia jepte paratë mirëpo nuk kishte mundur ta gjente assesi Zejnullah Prekazin. E vërteta del në shesh herët apo vonë. Asgjë nuk humbet në këtë botë. Edhe pse duket sikur po humbet në këtë botë, në ditën e gjykimit na del para. As e mira as e keqja nuk humben, nuk harrohen. Allahu na bëftë nga të mirët.
Familja e nënës time natën e fundit para se të ndaheshin nga Kosova e kishin kaluar në shtëpinë e vëllait të gjyshes Zejni Kabashit nga Polaci. Dada Mehreme bashkë me të birin Xhemalin kishte ardhur në Mitrovicë që nga mbrëmja për ta përcjellë vëllain e saj Zejnullahun. Për herë të fundit kishin darkuar së bashku. Mërzinë që kishte përjetuar familja Prekazi atë natë e kam dëgjuar shumë herë nga nëna gjerë e gjatë dhe nga Xhemali. Nuk mund ta përshkruaj. Disa ndjenja nuk mund të rrëfehen me fjalë. I di vetëm kush i ka përjetuar.
Kur e rrëfente Xhemali natën e fundit e cila kishte lënë gjurmë të thella në kujtesën e tij, sikur e përjetonte përsëri në të njëjtën mënyrë ndarjen e asaj nate. Madje kishte pikturuar me ngjyra të vajit trenin e ndarjes. Derisa na tregonte se si i kishte pikturuar detajet e emocioneve dhe përjetimeve të tij, ne ia vërenim emocionin edhe përmes mimikave të fytyrës së tij. Na rrëfente me pikëllim çdo detaj që i ishte gdhendur thellë në kujtesë. Tha “e kam bërë këtë pikturë për shkak se jam rritë pa dajë”.
Piktura e shpërnguljes së familjes Prekazi të Xhemail Mulakut.
Xhemaili e tregonte i zhytur në emocione mëngjesin e ndarjes.
Atë mëngjes në stacionin e trenit në Mitrovicë kishte një turmë njerëzish sikur të ishte dita e gjykimit. Në lokomotivë të trenit kishte të pikturuar një yll të madh të kuq i cili ishte simboli zyrtar i Jugosllavisë. Në lokomotivë e kam shkruar vitin e ndarjes 1958. (e ka shkruar ashtu siç i ka mbetur në kujtesë, viti i saktë është 1959). Një tren i zi që nxjerrë tym pa reshtur. Derisa dajët e mi po hipnin në tren po përqafoheshin me njëri tjetrin dhe po qanin që të gjithë.
Treni i Turqisë ndaloi pas 13km në Vushtrri, aty zbritëm unë dhe nëna ime duke u përshëndetur me dajët. Pasi zbritëm ne, treni vazhdoi rrugëtimin e tij. E kujtoj që babai im Haxhi Feridi kishte mbetur vonë. Po vraponte me nxitim edhe pse treni tashmë kishte lëvizur, dhe në duar po mbanë vëllezërit e mi Ganiun dhe Skenderin. U përshëndetën me dajët e mi qoftë edhe nga larg duke i bërë me dorë njëri tjetrit. Derisa treni i ndarjes po merrte rrugë, në stacion jehonte zëri i kornës së tij. Ne të mbeturit prapa ishim në një gjendje të papërshkrueshme. Nëna ime nuk e pa më kurrë vëllain e saj Zejnullah Prekazin.
Gjyshi im i lindur në vitin 1903 në Prekaz, dy vite pasi që migroi nga mërzia e tepërt u sëmur keq me kancer. Sëmundja vazhdoi të zhvillohej brenda tij për dy vite me radhë dhe pas dy vitesh mu në vitin 1963 ndërroi jetë. Gjyshi im i cili u varros në varrezat e lagjes Zejtinburnu në Stamboll, para se të ndërronte jetë i kishte dërguar një letër mikut të tij Salih Rushitit në Skenderaj. Sipas rrëfimeve të Jusufit djalit të hallës së madhe të nënës time Dadës Kadë, kur e kanë lexuar atë letër ndër burra të grumbulluar në odë që të gjithë kishin qarë.
Kush e di mbase kanë qarë për Zejnullah Prekazin, mbase për gjërat që i ndodhën atij.
“Të përshëndes nga Turqia Salih. Këtë letër që po të dërgoj lexoje me zë kur të mblidheni të gjithë në odë në mbrëmje. Ne këtu jemi rehat. Edhe këtu po shkoj në xhami. Safat e xhamisë këtu janë shumë të gjatë. Kur po jap selam në të djathtë po shikoj se a është ndokush i njohur ose me plis. Më pas prapë kur po jap selam në të majtë po shikoj në të njëjtën mënyrë se mos po shoh dikë me plis mirëpo nuk po shoh askënd. Po mërzitem dhe po qajë. Këtu po e ndjej veten sikur jetim.”
Për të gjetur këtë letër të gjyshit tim shkuam në shtëpinë e Sali Rushitit në një fshat të Skënderajt bashkë me Erxhanin. Kur takuam djalin e tij e pyeta për letrën. Në luftën e fundit të viti 1998 serbët ua kishin djegur shtëpinë deri në themel. Njëra ndër gjërat e djegura padyshim që kishte qenë edhe letra.
Ah gjyshi im! Kush e di sa dhimbje ke përjetuar që ne nuk i dimë. Në odën tënde mijëra njerëz vite me radhe hëngrën bukë. Vdiqe pas katër vitesh të migrimit në Turqi, ku u shpërngule vetëm për të shpëtuar gratë e veja dhe jetimët që të mbetën barrë. Allahu të mëshiroftë ty dhe gjithë të dashurit e tu. Të bëftë fqinjë me pejgamberin. Amin.
/RevistaUji-VII/