Njeriu ndonjëherë vërtet dëshiron t’i kursejë injorantët, ama kur ata duan që injorancën ta shesin si supervlerë, përveç neverisë, ta nxjerrin me zor.
I shoh këto ditë këta deputetët e Partisë për Shpërnguljen e Shqiptarëve (DUI) se si dalin e dërdëllisin budallaki pa fund se shqiptarët mund të humbin 8 deputetë me një njësi zgjedhore e marri të tjera që nuk i duron toka. Dhe, duke garuar cili ia shkon me këso kalkulime debilësh, njëri bën matematikë si në zgjedhjet parlamentare 2016 kur humbi te hyrja e ndërtesës së vet, e tjetri si kur i ka “numëruar gabimisht” votat e zgjedhjeve lokale më 2013 dhe tash përballet me burg për manipulim zgjedhor. Kështu veç ta argumentojnë konstantimin se këta njerëz mund të duken të mençur veç kur nuk flasin e nuk shkruajnë.
E vërteta e modelit me një zonë zgjedhore është kjo. Nëse në vitin 2016 do të kishim zgjedhje me një njësi zgjedhore, shqiptarët do të fitonin së paku një deputet më shumë, ndërsa partitë maqedonase VMRO dhe LSDM do ishin minus 2 deputetë, ndërsa DUI minus 1. Dhe, shihni ku është ligësia e DUI-t! Që ta fitojë 1 deputet më shumë, është në gjendje t’ua japë dy partive të mëdha maqedonase 4 deputetë dhe disa partive të vogla maqedonase 3 deputetë dhe, në anën tjetër, t’ua heqë partive të tjera shqiptare 2 deputetë. Kjo është matematika më idioteske dhe më antishqiptare e këtyre derdimenëve të politikës në vendin tonë.
Modeli me një njësi zgjedhore nuk është modeli më i mirë, por në krahasim me këtë, kur digjen 4-5 deputetë shqiptarë, është sigurisht më i mirë.