Sekretari i Përgjithshëm i partisë “Alternativa” në Maqedoni të Veriut, Zeqirja Ibrahimi, tha se interpretimet se “të kishte bërë kështu Albin Kurti, do bëhej kjo e nuk do bëhej kjo” nuk e ndihmojnë situatën në veri.
Për këtë ai reagoi përmes një postimi në Facebook, përcjell Fol Drejt.
“Interpretimet se “të kishte bërë kështu Albin Kurti, do bëhej kjo e nuk do bëhej kjo” nuk e ndihmojnë situatën në Veri, pos që i dëmtojnë pozicionet e Kosovës.
E vërteta është se bashkësia ndërkombëtare, përgjatë këtyre 24 vjetëve – pas përfundimit të luftës, e la Kosovën “as mish, as peshk” – në njërën anë më shumë se 100 shtete (përfshi SHBA-në dhe shtetet kryesore të BE-së) e kanë njohur, ndërsa në anën tjetër Kosova ka mbetur një zorrë qorre në Europë: as anëtare në OKB, as në rrugë të mbarë për BE e as e bashkuar me Shqipërinë.
E gjendur në këtë situatë, kryeministri Kurti vetëm e ka ballafaquar bashkësinë ndërkombëtare me këtë të vërtetë – të gjithë ata që i kanë thënë Kosovës se është shtet sovran, i bie se e kanë mashtruar, ngase kjo fjali është një blof. Gjendja në Veri, ku Serbia e Vuçiqit dhe bandat kriminale e pengojnë sovranitetin e Kosovës dhe zbatimin e ligjit shtetëror të Kosovës, është dëshmi se bashkësisë ndërkombëtare, që synon ta ketë Serbinë pranë vetes, nuk i bëhet vonë që këtë çmim duhet ta paguajë Kosova.
Ne, si komb, dhe Kosova, si shtet, jemi pa fund mirënjohës për SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe, në përgjithësi, për vendet e NATO-s, për intervenimin e vitit 1999, por nuk mund të mos e duam vendin tonë njësoj siç e dëshiron çdo shtet tjetër që pretendon sovranitet.
Natyrisht, askush nuk është i lumtur me tymin e flakës në Veri dhe unë uroj që sa më shpejt të shuhet, por ky është edhe një mesazh se status quo-ja atje është bërë e paqëndrueshme. O do jetë Kosova tamam shtet o do jetë një Bosnjë e dytë. Albini nuk ka bërë asgjë më shumë, pos që e ka shpërfaqur këtë të vërtetë, që herëdo kurdo duhej të kuptohej.
Fajësimi i Qeverisë së Kosovës nuk i shërben sot Kosovës”, u shpreh ai./FolDrejt/