Sekretari i Përgjithshëm i partisë “ALTERNATIVA” në Maqedoni të Veriut, Zeqirija Ibrahimi, ka thënë se në Shkup po lejohen projekte të historisë serbe, por jo edhe të historisë shqiptare, shkruan Fol Drejt.
“Aty ku nga viti 1495 e deri më 1925 ishte xhamia Burmali, pas instalimit të pushtetit të Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, më 1928 u ndërtua Pallati i Oficerëve (Serbë), që ka qenë aty deri në tërmetin e vitit 1963.”, shkroi Ibrahimi në Facebbok.
Ibrahimi shtoi se me projektin “Shkupi 2014” të Gruevskit, të mbështetur në vijimësi nga viti 2006 e deri më 2014 edhe nga PDSH-ja e BDI-ja, aty po kthehet përsëri Pallati i Oficerëve (Serbë), ndërsa për xhaminë Burmali nuk lejohet asnjë pllakë të vendoset aty.
“Natyrisht, Bashkësia Islame ka punë më “të rëndësishme” se identiteti i kryeqytetit tonë. Çudi që në Shkup lejohen projekte të historisë serbe, por jo edhe të historisë sonë autoktone.”, shtoi Ibrahimi. /FolDrejt/
Foto 1. Xhamia Burmali para vitit 1925
Foto 2. Pallati i Oficerëve më 2023

