Të paktën 9 persona, në mesin e të cilëve fëmijë dhe gra, kanë humbur jetën si rezultat i një operacioni të ushtarëve amerikanë në Idlib. Operacioni i SHBA-së në provincën veriperëndimore të Sirisë, Idlib, filloi në mesnatë me mbështetjen e një avioni luftarak F-16 dhe një helikopteri.
Një banor i fshatit, i cili dëshiroi të mbetet anonim, në një deklaratë për AA tha se “Rreth orës 00:30 vinte një zë nga jashtë. Mendova se ndodhi përmbytje. Kur dola jashtë helikopterë silleshin përreth, njëri nga helikopterët me ndihmën e megafonit thërriste”.
Sipas tij, ushtarët amerikanë për një kohë kanë bërë thirrje “për t’u dorëzuar”. “Mendoj se filluan të hapin zjarr pasi menduan se një automjet erdhi në ndihmë. U dëmtuan edhe shtëpitë përreth”, tha dëshmitari.
Ekipet e Mbrojtjes Civile që zhvilluan punime në rrënojat, njoftuan se janë vrarë 9 persona në mesin e të cilëve ka fëmijë dhe gra.
Ekipi i AA-së filmoi vendngjarjen pas bastisjes së kryer.
Në pamjet mund të shihet se disa mure dhe tavane të shtëpisë janë shembur nga bombat e hedhura gjatë bastisjes, kuzhina është djegur, të gjitha orenditë janë shkatërruar dhe janë vërejtur gjurmë gjaku në dysheme.
Gjithashtu në pamje shihen mbetjet e municioneve të përdorura nga ushtarët amerikanë.
Burimet në rajon theksojnë se synimi i ushtarëve amerikanë mund të jetë një nga krerët më të kërkuar të organizatës terroriste DEASH.
SHBA-ja edhe në tetor të vitit 2019 organizoi një operacion të ngjashëm në Idlib ndërsa në fund kishte njoftuar se është vrarë lideri i DEASH-it, Abu Bakr al-Baghdadi.
– SHBA-ja konfirmoi operacionin, por nuk dha emra
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, në një deklaratë lidhur me çështjen, tha se operacioni është kryer me sukses.
Ai njoftoi se pala amerikane nuk ka pësuar humbje jete dhe se kur do të kenë në dispozicion më shumë informacione do të ndahen për publikun.
Kirby nuk dha detaje për emrin ose grupin i cili ishte cak i operacionit.