Nënkryetari i Fondacionit Humanitar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IHH), Cüneyt Kılıç, tha se kjo organizatë me seli në Stamboll vitin e kaluar ka shpërndarë ndihma humanitare për 1,15 milion persona në Siri, raporton AA, përcjell Fol Drejt.
Kılıç, i cili njëkohësisht është përgjegjës për fushatën e IHH-së në Siri, në një deklaratë me shkrim tha se angazhimi i tyre në vendin e shkatërruar nga lufta vazhdojnë pandërprerë.
Ai shtoi se në vitin 2021, IHH dërgoi në Siri mbi 2.500 kamionë me ndihma humanitare, me peshë 65.000 tonë.
Kutitë e ndihmës përfshinin kryesisht ushqime, batanije, karburant, rroba, tenda, si dhe gjëra për kujdesin personal.
“Këto materiale ua shpërndamë familjeve të viktimave të luftës të cilët po përpiqen të mbijetojnë në qytetet-tenda dhe vendbanime të ndryshme”, tha ai.
Numri i përgjithshëm i kamionëve me ndihma të dërguara në Siri që nga viti 2011 tejkaloi 24.000, shtoi Kılıç.
Siria është shkatërruar nga një luftë civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Assad-it goditi protestuesit pro-demokratikë.
Sipas vlerësimeve të OKB-së, në konflikt janë vrarë qindra mijëra njerëz dhe më shumë se 10 milionë janë zhvendosur.