Yurii Ihnat, zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, u citua nga gazeta spanjolle El Pais të ketë thënë se vendi synon të marrë 24 avionë luftarakë nga aleatët e tij perëndimorë në paketën e parë ushtarake të këtij lloji. Ihnat tha se paketa duhet të përfshijë dy skuadrone luftarake me nga 12 avionë luftarakë secila, raporton The Kyiv Independent, përcjell Fol Drejt.
Prioriteti për Ukrainën është të blejë F-16 amerikanë, megjithatë, ata po konsiderojnë gjithashtu avionë luftarakë francezë Rafale dhe suedez Gripen, tha Ihnat në një intervistë me El Pais, të botuar më 28 janar.
Më vonë, më 28 janar, Ihnat doli në TV në Ukrainë për të sqaruar se nuk kishte një marrëveshje të qartë për aeroplanët dhe se numrat dhe modelet e avionëve për të cilët foli nuk ishin përfundimtare.
Sipas zëdhënësit, Ukraina nuk do të jetë në gjendje të mbështetet në këto avionë në fushën e betejës në një afat të shkurtër. Përveç negociatave të ndërlikuara politike për marrjen e avionëve luftarakë, do të duhen të paktën gjashtë muaj për të trajnuar pilotët dhe ekipet e mbështetjes tokësore, shpjegoi ai.
Ihnat tha më herët se avionët luftarakë F-16 të prodhuar në ShBA mund të jenë alternativa më e mirë për Forcat Ajrore të Ukrainës. Deri më tani, ShBA-ja ka refuzuar të furnizojë Ukrainën me avionë luftarakë F-16 ose të autorizojë transferimin e tyre nga vendet e treta.
Diskutimi për pajisjen e Ukrainës me avionë luftarakë u rindez pasi Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane vendosën të furnizojnë Ukrainën me tanket kryesore të betejës.
Më 20 janar, Presidenti Volodymyr Zelensky u kërkoi partnerëve t’i jepnin Ukrainës raketa me rreze më të gjatë veprimi dhe avionë F-16 gjatë fjalimit të tij në takimin Ramstein-8 në Gjermani.
Perëndimi nuk ka një mendim unanim për këtë çështje.
Qeveria holandeze tha se do të shqyrtonte sigurimin e Ukrainës me avionë luftarakë F-16, ndërsa për Gjermaninë, dërgimi i avionëve luftarakë në Ukrainë “nuk mund të diskutohet”.
Gjermania nuk operon F-16, por kancelari Olaf Scholz tha se avionët luftarakë, në përgjithësi, janë jashtë tryezës.
“Nuk do të ketë dërgesa të avionëve luftarakë në Ukrainë. Kjo u bë e qartë shumë herët, duke përfshirë edhe presidentin e ShBA-së”, tha Scholz në parlamentin gjerman më 25 janar, cituar nga CNN. /FolDrejt/