Ikja e të rinjve nga Kosova është bërë një dukuri. Për më keq, ikja e kuadrit profesional nga ngritur shqetësime e debate në nivele të ndryshme. Sociologët thonë se, arsyet janë të ndryshme.
Zamira Rexhepaj – Fol Drejt
Ndonëse ende nuk është publikuar numri i emigrantëve kosovarë për vitin 2021 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, edhe në dy vitet e mëparshme nuk ka qenë një gjendje më e mirë në aspektin e emigrimit të kosovarëve, transmeton Fol Drejt.
Në vitin 2019, përpara se të niste pandemia e koronavirusit, numri i emigrantëve kosovarë, sipas ASK-së, ka qenë shumë më i lartë: 34,911. Ndërsa numri i emigrantëve kosovarë në vitin 2020 ka qenë 8,724 – apo 0.49% e popullsisë rezidente. Në këtë numër janë përfshirë të gjithë emigrantët, pa marrë parasysh arsyen e migrimit dhe statusin e tyre – legal apo ilegal. Nga arsyet e largimit përmenden: bashkimi familjar, gjetja e një vendi pune dhe shpërngulja e përhershme janë përmendur si arsye të emigrimit. Një anketë e Institutit Republikan Ndërkombëtar, me seli në ShBA, e publikuar në nëntor të vitit të kaluar, ka treguar se 78% e kosovarëve të moshës 18 deri në 35 vjeç do të largoheshin “përfundimisht” ose “ndoshta” nga vendi i tyre, nëse do të kishin mundësi.
Fol Drejt ka biseduar me sociologun Bekim Selishta në lidhje me këtë çështje. I pyetur rreth faktorëve të cilët ndikojnë në ikjen e të rinjve nga Kosova, Selishta ka theksuar se këta faktorë janë të shumtë, duke përfshirë këtu ligjin e punës, stabilitetin në punë e të tjera.
“Nuk ka vetëm një faktor por janë një mori faktorësh që ndikojnë në largimin e të rinjve nga vendi ynë. Për shembull, punësimi, ligji i punës, stabiliteti në shëndetësi, në punë”, është shprehur Selishta.
Si destinacione të emigrantëve nga Kosova janë identifikuar: Gjermania, Franca, Austria, Kroacia e shtete të tjera, por Gjermania në veçanti është shteti më i popullarizuar për qytetarët e Kosovës. Kjo sidomos kur bëhet fjalë për lëshimin e vizave të punës. Vetëm në dhjetor të vitit 2021 për vizë gjermane kanë aplikuar 56 mijë e 639 kosovarë dhe në janar të vitit 2022, ka pasur 48 mijë e 962 aplikime.
Në faktorët të cilët ndikojnë në largimin e të rinjve nga vendi i tyre, Kosova, Selishta ka thënë gjithashtu se ndikon edhe nevoja për një standard të jetës, duke u shprehur se standardi i jetës pas vitit 2000, e sidomos pas 2010-ës ka ndryshuar dukshëm.
“Duhet ta kemi parasysh se një njeri kërkesat që i ka pasur para vitit 2000 kanë ndërruar pas vitit 2000. Sidomos pas vitit 2010 e tutje janë kërkesat tjera, domethënë dëshiron ta ketë një standard të jetës, një standard stabil. Ne kemi qenë një vend në tranzicion tani jemi një vend në zhvillim, në krejt botën për familjet e reja ulet tatimi, kanë përparësi në punësim, ndërsa në Kosovë nuk ndodh kjo. Në Gjermani tek familjet e reja ulen tatimet në 35 për qind më pak, ndërsa në familjet që e kanë një fëmijë në 45 për qind, ndërsa me 2, 3 fëmijë shkon ulja e tatimit deri në 75 për qind”, thotë ai.
I pyetur për zgjidhjen rreth kësaj problemaike Selishta ka theksuar se zgjidhja nuk mund të bëhet shpejt.
“Zgjidhja nuk mund të bëhet shpejt. Arsyeja është se qeveria ka premtuar shumë skema sociale dhe po bëhet një vit e asnjë skemë sociale nuk ka hy në funksion. Krejt çka duhet të bëjnë tani është këtë zhgënjimin i cili është në mesin e të rinjve me arritë me e stabilizu. Ata kanë pritur shumë nga qeveria, se do të jetë ndryshe, por nuk ka pasur asnjë zhvillim në këtë pikë, në skemat sociale, kreditë e buta, t’u rritet pagesa nënave lehona, shtesat e fëmijëve e të tjera. Gjithashtu punësimi i të rinjve e stabiliteti në punë, kjo është shumë primare që ligjin e punës nuk janë duke e zbatu si duhet”, përfundoi Selishta.
Në vitin 2021, shkalla e papunësisë në Kosovë ka qenë afro 26 për qind. Krahasuar me vitin paraprak, ka pasur rritje për 0.8 për qind. Shkalla e papunësisë te të rinjtë është 48.6 për qind, sipas ASK-së.
Që nga viti 2011 vlera e pagës minimale në Kosovë ka mbetur e pandryshuar. Sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave – Eurostat, Kosova është vendi me pagën më të ulët minimale në Evropë.
Ndonëse fokusi është kryesisht tek të rinjtë, kërkesat për t’u larguar nga vendi përfshijnë edhe persona më në moshë.
Kërkesat për vizë pune janë të profileve të ndryshme, madje në mesin e tyre ka edhe mjekë e profile të tjera. Vetëm në janar të këtij viti mbi 20 mjekë të rinj specializantë janë larguar.
Përderisa edhe sipas sociologut Selishta kjo gjendje është shqetësuese, ka pasur edhe reagime të shumta nëpër media e rrjete sociale, ku ikja e të rinjve shihet si një nga humbjet më të mëdha të shtetit të Kosovës nga e cila do të ketë edhe pasoja të pariparueshme për shoqërinë./FolDrejt/