Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar se mund të ketë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës si pasojë e mos mbajtjes së distancës nga qytetarët.
IKSHPK thotë se komunat si: Prishtina, Vushtrria, Prizreni dhe Fushë-Kosova, janë të rrezikuara nga shpërthimi i vatrave të reja epidemike. Kjo për shkak se që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, rastet me koronavirus kanë filluar të rriten.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë rekomandojnë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme e në veçanti zbatimi i planit për masat lehtësuese që nënkupton vazhdimin e zbatimit të mëtutjeshëm të rekomandimeve.
Kujtojmë se sot janë konfirmuar edhe 11 raste të reja të koronavirusit në Kosovë, derisa dy të tjerë janë shëruar.
Numri i të infektuarve me koronavirus ka shkuar në 1158.
Laboratori i Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK sot ka testuar 297 mostra, prej të cilave 11 kanë rezultuar pozitive.
“Rastet pozitive janë raste kontakti nga komuna e Prizrenit 4 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Tupec dhe 2 raste Prizren), komuna e Vushtrrisë 3 raste (sipas vendbanimit: 1 rast Stanovc i epërm, 1 rast Stanovc i poshtëm dhe 1 rast Vushtrri), komuna e Prishtinës 3 raste (sipas vendbanimit: 3 raste Prishtinë) dhe 1 rast me vendbanim në Fushë Kosovë”, ka njoftuar IKSHPK.
Më poshtë gjeni njoftimin e plotë:
Të nderuar qytetarë!
Që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, kemi gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës e në veçanti në komunën e Prishtinës, Vushtrrisë, Prizrenit dhe Fushë Kosovës nga mosmbajtja e distancës dhe mosmbajtja e maskave.
Pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre aktiviteteve, mund të shtojnë rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve.
Bazuar në këtë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë rekomandojnë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme e në veçanti zbatimi i planit për masat lehtësuese që nënkupton vazhdimin e zbatimit të mëtutjeshëm të rekomandimeve.
Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimi i maskave, dezinfektimi dhe ajrosja e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.
Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin per Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe të merren masa përgjegjësie në rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.
Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve.
Nuk ka të drejtë askush të rrezikoj jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve.
Çdo hap përpara që bëjmë, bartë edhe rrezikun me vete derisa virusi është ende në mesin tonë. Ta ruajmë këtë situatë të qëndrueshme duke pasur parasysh situatë më të rënduar epidemiologjike në shumë shtete të botës.
Vazhdoni të mbani distancën fizike dhe mbajtjen e maskave!
Lani duart me kujdes disa herë në ditë nga 20-30 sekonda!
Lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të institutit kombëtar të shëndetësisë publike dhe ministrisë së shëndetësisë!
Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm!
Ju lutem të keni kujdes sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve!.