Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se një ekip i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës ka dalë në teren për t’u informuar lidhur me qytetarët që kanë marrë ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Han të Elezit, pasi dyshohen se janë helmuar nga uji. Pjesa dërrmuese e tyre ishin nga fshati Gorancë dhe pjesa tjetër nga fshatrat Glloboçicë dhe Seqishtë.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se mostrat e ujit të marra gjatë ditës së sotme për analizë fiziko-kimike përveç turbullirës në dy raste rezultojnë brenda parametrave normalë.
“Personat që janë paraqitur kanë simptomat e njëjta: diarre, vjellje, temperaturë. Dyshimet e drejtoreshës së DSHMS dhe asaj të QKMF bazohen në faktin se dukshëm është shtuar numri i personave që kërkojnë ndihmë mjekësore nga fshati Gorancë që nga data 28 qershor kur edhe është lëshuar në përdorim edhe një burim i ri i ujit të pijshëm për të cilin dyshohet se është i kontaminuar. Ky burim së bashku me atë paraprak derdhen në të njëjtin rezervuar. Pjesa tjetër e banorëve të fshatit Seqishtë furnizohen me ujë nga burimi i Glloboçicës”.
“Ekipet në terren janë informuar se burimi i fshatit Gorancë nuk monitorohet nga KRU-Bifurkacioni, ndërsa ai i Glloboçicës po. Mostrat e ujit të marra gjatë ditës së sotme për analizë fiziko-kimike përveç turbullirës në dy raste rezultojnë brenda parametrave normalë”.
“Po ashtu, janë marrë mostrat e ujit edhe për analizë bakterore, ndërsa ekipi i Epidemiologjisë së bashku me ekipen e DSHMS të Hanit të Elezit janë në terren duke anketuar personat të cilët janë paraqitur në QKMF. Në momentin që IKSHPK i ka rezultatet e para, publiku do të informohet në kohë reale”, thuhet në njoftim, transmeton KlanKosova.tv.
Në Info Magazine të Klan Kosovës, drejtoresha e Shëndetësisë në komunën e Hanit të Elezit, Kimete Kuka, ka thënë se 112 qytetarë dyshohet se janë helmuar nga uji.
Kuka theksoi se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka marrë mostrat dhe brenda dy ose tre dite do të dihet se nga çfarë saktësisht janë helmuar, njofton Klankosova.tv.
“Numri i pacientëve nga dje pasdite deri në këto momente është 112 pacientë, pra me simptoma të njëjta, diarre, vjellje, që dyshimin po thuhet se është nga uji, ende diçka konkrete nuk kemi”, është shprehur Kuka.