Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, njofton se ajri sot nuk është i shëndetshëm, prandaj bëri apel që personat e ndjeshëm të jenë të kujdesshëm.
Ky institut bëri disa rekomandime:
Të reduktohen daljet në vendet me ajër të ndotur, në mëngjes dhe mbrëmje, sidomos për personat që kanë sëmundje kronike kardiovaskulare dhe respiratore, fëmijët dhe shtatzënat.
Të përdoret më shumë transporti publik dhe ecja, e më pak veturat.
Të reduktohet përdorimi në shtëpi i lëndëve të ngurta të djegies dhe gatimit, që të zvogëlohen emetimet.
Të mos digjet vaj i përdorur, goma plastike, mbeturina, thëngjill, drunjë të lagësht për ngrohje.
Qëndroni në shtëpi dhe mos i hapni dritaret për ajrosjen e dhomave kur ndotja është e lartë.
Personat që duhet të dalin në aktivitetet e tyre, të përdorin maska mbrojtëse, të mbulojnë gojën e hundën me shall.
Të reduktohet pirja e duhanit jashtë ku ka qarkullim të njerëzve, e domosdoshmërisht të ndalohet pirja e duhanit brenda hapësirave të mbyllura.
Të bëhet izolimi termik (për aq sa është e mundur) i shtëpive në zonat urbane.