Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, sot ka nënshkruar një marrëveshje me kolegjin privat UBT.
Ministri Aliu përveç minister, punon edhe si profesor pikërisht në kolegjin privat UBT. Pra, ai ka nënshkruar marrëveshje me kolegjin në të cilin ligjëron e për këtë ka nxitur shumë debat në Kosovë nga shumë fytyra publike.
Ky është postimi i ministrit bërë në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, ku njofton për marrëveshjen:
Për këtë ka reaguar gazetari dhe analisti i njohur kosovar, Imer Mushkolaj, i cili ka thënë: ” Ministri nënshkruan marrëveshje me kolegjin privat, nga i cili paguhet si profesor. QR”.
Një reagim tjetër e ka bërë edhe analisti Shkëlzen Gashi, i cili në llogarinë e tij në Facebook ndër të tjera ka thënë se ministri Liburn Aliu nuk ka bërë marrëveshje me UP-në, ashtu siç ka proklamuar LVV për pothuajse një dekadë, por me një kolegj privat, nga i cili, për më keq, Ministri Aliu edhe merr pagë.
“Kjo është shkelje e premtimeve të LVV-së për mbështetje të institucioneve publike të arsimit të lartë dhe konflikt i pastër i interesit”, ka shtuar ai.
Ndërsa krejt këtë situatë e ka sqaruar vetë ministri Aliu i cili në një prononcim për Albanian Post ka thënë se kjo marrëveshje ka pasur të bëhet edhe me Universitetin e Prishtinës, por Rektori i UP-së nuk ka mundur sot. Ai ka treguar se kjo marrëveshje me Univeristetin e Prishtinës bëhet nesër.
“Edhe me UP-në edhe me UBT-në, të dyja i kishim në plan t’i nënshkruajmë sot, por Rektori i UP-së nuk ka mundur sot, e ka shty për nesër. Kjo është e gjitha”, ka sqaruar Aliu për Albanian Post, përcjell FolDrejt.