Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Inaugurimin e Parkut dhe këndit të lojërave në fshatin Davidoc të Komunës së Shtimes, i cili është bashkëfinancim i Qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Komunës së Shtimes, në vlerë prej 144 mijë euro me një sipërfaqe prej 1 hektari, transmeton Fol Drejt.
Pasi shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në këtë ngjarje, kryeministri Kurti tha se në fund të vitit të kaluar bashkë me kryetarin Aliu, kanë inauguruar edhe parkun tjetër në fshatin Gjyrkoc, i cili tashmë është bërë pjesë e komunitetit të fshatit dhe pikëtakim për fëmijët.
“Urojmë që edhe ky park të kthehet në një vend ku shumë fëmijë dhe grupmosha të ndryshme do të kalojnë kohën e lirë dhe do të përjetojnë momente së bashku. Është pikërisht ky roli i Komunës edhe i Shtetit, që të krijojë hapësira publike për qytetarët e saj, sepse janë këto hapësira publike ato të cilat e inkurajojnë që të kemi një lidhje të fortë të individit me vendin e tij, por edhe me qytetarët e tjerë të cilët i ndajnë këto hapësira”, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij.
Me këtë rast, kryeministri tha se shumë shpejtë do të kemi inaugurime të reja në këtë pjesë, sepse pritet të fillojnë dy projekte të rëndësishme, Rehabilitimi i Rrugës Rajonale Transiti me 1.7 milion, si dhe rehabilitimi i Rrugës rajonale Shtime – Lipjan, me vlerë 1.5 milion euro. Që do të sigurojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave në këtë komunë.