Një video që u bë virale në Indi zbuloi dhunën disproporcionale që policia zbaton kundër një grupi musliman që ndodhej në arrest.
Sipas lajmit të BBC-së, videoja u pa nga miliona njerëz pasi Shalabh Tripathi, një nga anëtarët kryesor të partisë në pushtet BJP, postoi në median sociale pamjet ku policia ushtron dhunë disproporcionale ndaj muslimanëve dhe lavdëroi brutalitetin e policisë si një “dhuratë për rebelët”, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Në video vërehet se dy policë indianë rrahin me shkopinj që ngjajnë me shkop bejsbolli një grup muslimanësh nën arrest ndërsa viktimat mbështeten pas murit nga frika me britmat “dhemb, dhemb…Jo!”.
Saif (24), një nga viktimat në pamjet në fjalë u arrestua bashkë me dhjetëra muslimanë të tjerë të cilët javën e kaluar protestuan pas namazit të xhumasë në qytetin Saharanpur në veri të Indisë kundër deklaratave të zyrtarëve të partisë në pushtet me përmbajtje fyese ndaj profetit Muhamed.
Policia akuzon Saif-in dhe 30 persona të tjerë me arsyetime si përfshirje në rebelim, nxitje të dhunës dhe plagosjen e një punonjësi publik.
Ndërsa familjet mbrojnë idenë se personat e sulmuar janë të pafajshëm dhe se duhet të lirohen. Motra e vogël e Saif-it, Zeba e cila i pa pamjet e dhunës në lot, tha se “Ky është vëllai im, e rrahin shumë, lëshon britma të mëdha”.
Zeba me sytë e lotuar ka vizituar vëllain e saj të madh nën arrest dhe tha se ai kishte të nxira në trup.
Teksa nga zyrtarët e partisë ose qeveria e BJP nuk ka pasur dënim lidhur me pamjet, vihet në dukje se asnjë veprim nuk është ndërmarrë ndaj policëve të përfshirë në ngjarje.
– Fyerjet ndaj profetit Muhamed në Indi
Deklaratat e bëra ditët e fundit nga zyrtarë të partisë në pushtet Bharatiya Janata (BJP) e cila bazohet në ideologjinë e nacionalizmit hindu, kundër fesë Islame dhe profetit Muhamed, kanë shtuar tensionet.
Partia në pushtet, e cila për shkak të tensioneve në fjalë u vendos në qendër të kritikave me 5 qershor njoftoi shkarkimin e Nupur Sharma-s, zëdhënësit të BJP-së, me arsyen se ka përdorur shprehje me përmbajtje fyese kundër fesë islame dhe Profetit Muhamed ndërsa njoftoi gjithashtu edhe përjashtimin nga partia për Naveen Kumar Jindal, kreun e medias të BJP-së në New Delhi.
Pas reagimeve, Sharma në një postim nga Twitter deklaroi “Nuk doja të lëndoja ndjenjat e askujt. I tërheq fjalët e mia nëse kam lënduar njerëzit me këto fjalë të mia”.
Ndërsa Jindal duke vënë në dukje rëndësinë e vendimit të dhënë nga BJP tha se është një person që ia ka kushtuar veten partisë.
Ndërkaq, edhe Harshit Srivastava, një nga emrat përgjegjës për politikat rinore të partisë BJP, u arrestua më 7 qershor në rajonin Uttar Pradesh për shkak të deklaratave me përmbajtje fyese kundër fesë islame dhe profetit Muhamed.
Më 9 qershor ndaj Sharma-s u ngrit padi me akuzën “nxitje të njerëzve në bazë të linjave të ndryshme përçarëse”.
Deklaratat e zyrtarëve të BJP me përmbajtje fyese kundër fesë Islame dhe profetit Muhamed shkaktuan reagimin e muslimanëve në të gjithë botën.
Në shumë vende u mbajtën protesta ndërsa institucione dhe organizatave të ndryshme si dhe drejtuesit e tyre dënuan deklaratat fyese në fjalë.
Më 11 qershor dy persona humbën jetën pasi policia hapi zjarr në ajër gjatë protestave që u mbajtën në rajonin Jharkhand.
Ndërsa në pamjet e postuara në median sociale, u paraqit para syve dhuna që policia ushtroi ndaj të rinjve muslimanë në Uttar Pradesh./FolDrejt/