Kina dhe India kanë rënë dakord të “ruajnë paqen” përgjatë pikave të diskutueshme në zonën Ladakh të rajonit të diskutueshëm Xhammu Kashmir, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Marrëveshja u arrit gjatë raundit të 19-të të takimit të nivelit të komandantëve të korpusit Kinë-Indi, i cili u mbajt të dielën dhe të hënën në pikën kufitare Chushul-Moldo në Ladakh përgjatë vijës së kontrollit aktual.
“Të dy palët ranë dakord të ruajnë paqen dhe qetësinë në terren në zonat kufitare”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Kina dhe India mbrëmë vonë.
Në deklaratë gjithashtu thuhet se të dy palët shkëmbyen pikëpamje “në një mënyrë të hapur dhe largpamëse”.
“Palët ranë dakord të zgjidhin çështjet e mbetura në mënyrë të shpejtë dhe të ruajnë momentin e dialogut dhe negociatave përmes kanaleve ushtarake dhe diplomatike”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Kina dhe India kanë mbetur të bllokuar në një gjendje gatishmërie përgjatë vijës së kontrollit aktual që nga maji i vitit 2020.
Në qershor 2020, të paktën 20 ushtarë indianë dhe katër kinezë u vranë në një përleshje kufitare.
Të dy palët mbajtën raundin e 18-të të diskutimeve ushtarake më 23 prill të këtij viti.