SHBA-ja të mërkurën ka përsëritur thirrjen e saj ndaj Indisë që të mos ecë përpara me blerjen e sistemeve ruse të mbrojtjes raketore S-400, ndërsa dërgesat e sistemit me rreze të gjatë tokë-ajër mbeten në proces, transmeton Fol Drejt.
Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit për AA tha se SHBA-ja “ende nuk ka marrë vendim” sipas Aktit Kundër Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve, ose CAATSA, në lidhje me transaksionin. Akti autorizon ndëshkime ekonomike për subjektet që blejnë armë nga industria ruse e mbrojtjes.
“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të gjitha vendeve, përfshirë Indinë, që të shmangin transaksionet e reja të mëdha për sistemet e armëve ruse”, tha zëdhënësi, raporton AA.
New Delhi dhe Moska nënshkruan një marrëveshje prej 5,5 miliardë dollarë për sistemin S-400 në vitin 2018, lëvizje që hapi Indinë ndaj sanksioneve të mundshme të SHBA-së.
Washingtoni është përpjekur prej kohësh të pengojë vendet nga blerja e pajisjeve ushtarake të Rusisë, duke i kërcënuar ato me masa ndëshkuese sipas CAATSA.
India shkoi përpara me marrëveshjen pavarësisht paralajmërimeve të Washingtonit se heqja dorë nga CAATSA nuk ka gjasa, duke pohuar se ajo ka lidhje strategjike si me Rusinë ashtu edhe me SHBA-në.
Të hënën, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, tha se marrëveshja për furnizimin e Indisë me sistemet e mbrojtjes ajrore S-400 do të realizohej pavarësisht përpjekjeve të SHBA-së për të minuar marrëveshjen.
“Ne dëshmuam përpjekje nga ana e SHBA-së për të minuar këtë bashkëpunim dhe për ta bërë Indinë t’u bindet urdhrave amerikanë, për të ndjekur vizionin amerikan se si duhet të zhvillohet ky rajon”, tha Lavrov për agjencinë e lajmeve ANI në New Delhi.