Së paku 100,000 njerëz, përfshirë persona të infektuar me koronavirus, janë duke u dërguar në vende të sigurta pasi bregdeti perëndimor i Indisë pritet të përfshihet nga një ciklon i një fuqie që nuk është parë në Mumbai në 70 vjetët e fundit.
Autoritet në kryeqytetin financiar indian, që po përballet edhe me pandeminë e koronavirusit, i kanë evakuuar rreth 150 pacientë me koronavirus nga një spital i ndërtuar së voni, thanë zyrtarët indianë të martën.
Kryeministri rajonal në Maharashtra, Uddhav Thackeray, tha se njerëzit që jetojnë në shtëpi të dobëta afër bregdetit do të dërgohen në vende më të sigurta para se Cikloni Nisarga të arrijë në sipërfaqe tokësore gjatë pasdites së të mërkurës, siç është parashikuar.
Mumbai në dekadat e fundit nuk ka përjetuar ciklone të fuqishme. Stuhia e fundit e fuqishme që e kishte goditur këtë qytet është regjistruar në vitin e largët, 1948, kur 12 persona kishin vdekur dhe më shumë se 100 të tjerë ishin lënduar.
Meteorologët indianë kanë paralajmëruar për reshje të mëdha të shiut dhe erëra me shpejtësi deri në 110 kilometra në orë. Valët e detit mund të ngrihen deri në dy metra, duke i rrezikuar zonat e ulëta.