Qeveria e Indisë ka urdhëruar platformat e mediave sociale që të heqin të gjithë përmbajtjen, ku përmendet “varianti indian” i koronavirusit.
Ky variant po ashtu është përhapur në Britani dhe në të paktën 43 shtete të tjera dhe termi “varianti indian” përdoret gjerësisht për t’iu referuar mutacionit të koronavirusit, që fillimisht u identifikua në Indi.
Ky urdhër i qeverisë, që u dërgua të premten nga Ministria për Informacion dhe Teknologji, vë në pah ndjeshmërinë e qeverisë ndaj akuzave për menaxhimin jo të duhur të valës së re të pandemisë.
Në këtë urdhër, ministria tha se kompanitë e mediave sociale duhet “të heqin përmbajtjen” ku i referohen variantit të ri si “varianti indian”.
“Kemi kuptuar se një deklaratë e rreme që po qarkullon në internet, ku thuhet se ‘varianti indian’ i koronavirusit po përhapet në të gjitha vendet. Kjo është plotësisht e pavërtetë”, thuhet në këtë dokument, të cilin e posedon agjencia AFP.
Ministria indiane po ashtu ka përsëritur thirrjet për të frenuar “lajmet e rreme dhe keqinformimin” në rrjetet sociale rreth pandemisë.
Në urdhrin qeveritar po ashtu thuhet se Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk e ka lidhur asnjë shtet me variantin B.1.617 të koronavirusit.
Disa shtete kanë vendosur kufizime për pasagjerët që vijnë nga India, që prej se u shfaq ky variant.
Përveç variantit B.1.617, deri më tani janë identifikuar disa variante të tjera, që fillimisht janë shfaqur në Britani, Brazil dhe Afrikë të Jugut. Vetë Qeveria indiane i ishte referuar si “varianti britanik” variantit të virusit që fillimisht ishte identifikuar në Britani.
Qeveria indiane është kritikuar për menaxhimin e valës së re të pandemisë. Ky shtet përballet me mungesë të oksigjenit, vaksinave, shtretërve të lirë nëpër spitale si dhe ilaçeve.
Muajin e kaluar, Qeveria indiane kishte urdhëruar Twitter-in dhe Facebook-un që të hiqnin dhjetëra postime ku kryeministri indian, Narendra Modi kritikohej për menaxhimin e pandemisë.
India, që prej fillimit të pandemisë, ka regjistruar 26.2 milionë raste me koronavirus dhe 295.525 viktima. Pothuajse gjysma e numrit të përgjithshëm të viktimave janë shënuar gjatë fundit të muajit mars.