India miratoi përdorimin emergjent të vaksinës ruse Sputink V kundër Covid-19.
Kompania farmaceutike Dr Reddy’s Laboratories tha se ka marrë leje nga Kontrolluesi i Përgjithshëm i Barnave në Indi për të importuar vaksinën.
India, deri më tani, ka administruar mbi 100 milionë doza të dy vaksinave të prodhuara në këtë vend: Covaxin dhe Covishield.
Covishield është version i vaksinës së kompanisë anglo-suedeze, AstraZeneca.
Fondi Rus i Investimeve Direkte, i cili është përgjegjës për marketingun e vaksinës jashtë Rusisë, e konfirmoi marrëveshjen me Indinë.
India është duke u përballur me një numër rekord të infeksioneve të reja me koronavirus dhe të viktimave.
Në 24 orët e fundit, ky vend regjistroi mbi 168,000 raste të reja dhe 904 viktima.
Që nga fillimi i pandemisë, pranverën e vitit të kaluar, autoritetet në Indi kanë konfirmuar mbi 13.5 milionë raste me koronavirus dhe mbi 170,000 viktima, ndonëse shifrat besohet të jenë shumë më të larta.