Autoritetet indiane kanë thënë se në 24 orët e fundit kanë regjistruar 3,293 viktima me koronavirus, duke e çuar në mbi 200,000 totalin e viktimave në këtë shtet.
Spitalet në Indi janë duke vazhduar që të përballen me mungesa të oksigjenit dhe pajisjeve tjera mjekësore.
Vala e dytë e pandemisë në Indi ka rezultuar me të paktën 300,000 persona të infektuar në ditë, javën e kaluar.
Vetëm një ditë më parë, autoritetet indiane kanë regjistruar 360,960 persona të infektuar, duke shënuar një tjetër rekord të infektimit ditor.
“Bota është duke hyrë në një fazë kritike të pandemisë dhe duhet të ketë qasje në vaksinim për të gjithë të rriturit, sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Udaya Regmi, udhëheqës i Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe në Azinë Jugore.
Në Nju Delhi ambulancat janë parë duke pritur në radhë me orë të tëra për të marrë viktimat dhe për t’i dërguar nëpër krematoriume të improvizuara nëpër parqe dhe parkingje.
Spitali Mayom nuk do të pranojë pacientë të rinj, përveç nëse kanë cilindra oksgjeni me vete, ka thënë shefi ekzekutiv i spitalit Manish Prakash, për kanalin televiziv NDTV.
Shefi i ministrave të Nju Delhit Arvind Kejriwal, ka thënë se njerëzit janë duke u sëmurë më keq dhe më gjatë, çka është duke rritur presionin.
“Vala aktuale është e rrezikshme”, ka thënë ai.
“Virusi është jashtëzakonisht ngjitës dhe ata që po infektohen nuk po mund të shërohen shpejt. Në këto kushte, qendrat e kujdesit intensiv janë të mbigarkuara”.
Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë të ketë biseduar me kryeministrin indian Narendra Modi se kur do të mund të dërgojnë Shtetet e Bashkuara ndihmë për Indinë.
“Mendoj se do të jemi në një pozicion prej ku do të mund të shpërndajmë vaksina edhe në vendet tjera që kanë shumë nevojë. Kështu shpresojmë dhe presim”, u ka thënë ai të martën gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.