Parlamenti i Indonezisë miratoi të martën një ligj të ri penal që kriminalizon seksin jashtë martesës.
Dhoma e Përfaqësuesve miratoi ligjin me aklamacion në një seancë plenare, pavarësisht kritikave se ai do të kërcënonte liritë civile në vendin me popullsinë më të madhe myslimane në botë.
Ligji do të hyjë në fuqi në vitin 2025, tre vjet pas miratimit të tij.
“Ne kemi pritur për këtë për 59 vjet,” tha Edward Omar Sharif, zëvendësministri i drejtësisë dhe të drejtave të njeriut, duke shtuar se kodi i vjetër penal ishte një ngecje nga sundimi kolonial holandez.
Të hënën, qindra indonezianë u mblodhën në disa qytete, duke kërkuar që parlamenti të refuzojë projektligjin.
Pas miratimit të tij priten protesta të tjera.
Ligji parashikon që marrëdhëniet seksuale jashtë martesës dënohen me një vit burg dhe çiftet që jetojnë së bashku jashtë martesës mund të marrin gjashtë muaj burg.
Por që policia të nisë një hetim penal për akte të tilla, kallëzimi do të duhej të depozitohej nga një anëtar i familjes, një dispozitë që shihet si një kompromis për të qetësuar si konservatorët ashtu edhe liberalët.
Projektligji parashikon gjithashtu një dënim deri në tre vjet burg për këdo që “sulmon dinjitetin” e presidentit ose zëvendëspresidentit.
Ata që fyejnë qeverinë mund të përballen me 18 muaj burg ose tre vjet nëse akti shkakton trazira sociale.
Ndërkohë, përhapja e lajmeve të rreme dënohet me burgim deri në gjashtë vjet./FolDrejt/