Mund të tingëllojë si një film i keq fantastiko-shkencor i viteve 1960, por realiteti është se infeksionet kërpudhore tani vrasin katër herë më shumë njerëz sesa malaria – dhe ato po bëhen gjithnjë e më të rrezikshme.
Në nivel global, ka më shumë se 150 milionë raste të rënda të infeksioneve kërpudhore dhe 1.7 milionë vdekje në vit, dhe këto shifra po rriten në mënyrë të vazhdueshme sepse infeksionet e shkaktuara nga majat dhe myku po bëhen më të vështira për t’u trajtuar.
Siç e kemi parë tashmë me rezistencën bakteriale dhe shfaqjen e MRSA dhe formave të tjera të stafilokokut rezistent ndaj ilaçeve, kërpudhat dhe myku po ndryshojnë dhe po gjejnë mënyra për t’iu shmangur barnave që përdorim për t’i trajtuar ato, shkruan Mirror.
Por shkalla e vërtetë e kërcënimit u pranua vetëm vitin e kaluar, kur një konsorcium ndërkombëtar prej 29 vendesh, i cili po punon së bashku për të mposhtur të gjitha format e rezistencës mikrobike, më në fund shtoi kërpudhat në listën e tij të detyrave.Profesor Adilia Warris, një autoritet ndërkombëtar për infeksionet kërpudhore dhe bashkë drejtor i Qendrës së Këshillit të Kërkimeve Mjekësore për Mykologjinë Mjekësore në Universitetin Exeter, thotë: “Infeksionet kërpudhore janë shumë serioze, por mendoj se një nga arsyet që ato nuk janë në krye të mendjes së njerëzve është se shpesh vijnë si një ndërlikim mbi një sëmundje tjetër. Të gjithë e dinë se sa i tmerrshëm është kanceri, por ajo që njerëzit shpesh nuk e kuptojnë është se pacientët me kancer janë gjithashtu në rrezik shumë të lartë të zhvillimit të infeksioneve kërpudhore dhe ata janë një faktor i rëndësishëm në shumë vdekje nga kanceri”.
Në mënyrë të ngjashme, studimet tregojnë se një në gjashtë persona që janë pranuar në njësitë e kujdesit intensiv me COVID-19 kanë gjithashtu infeksione kërpudhore invazive
Ashtu si bakteret e stafilokokut, ka kërpudha të tilla si candida albicans të cilat shumica prej nesh i mbajmë, ose në trupin tonë në mënyrë natyrale.
Ashtu si candida, aspergillus është rrallë një problem te njerëzit e shëndetshëm, por profesor Warris thotë, “Ai lëshon spore të vogla në ajër, të cilat ne i thithim. Nëse mushkëria tashmë është dëmtuar, dikush është tashmë i sëmurë ose sistemi imunitar është shumë i dobët, këto spore mund të rriten në një lloj filamenti. Kjo mund të shkaktojë një infeksion me inflamacion dhe ju merrni pneumoni vërtet të keqe”.