Sindikata e Infermierëve të Kosovës, qysh dje ka paralajmëruar organizimin e një greve, të ashtuquajtur, paralajmëruese.
Sot kjo protestë ka nisur në orën 8:00, ashtu siç edhe është paralajmëruar, transmeton Fol Drejt.
“Sindikata e Infermierëve të Kosovës duke respektuar të gjitha ligjet dhe kriteret që përcaktojnë mënyrën e zhvillimit të grevës, respektivisht Ligjin për Greva Nr. 03/L-200, ka ofruar mbështetjen e plotë SHSKUK/QKUK-së lidhur me sigurimin e minimumit të dhënies së shërbimeve gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sindikal, ndërsa SHSKUK/QKUK ka dështuar në përmbushjen e obligimit të saj ligjor, konsultimin e Këshillit Grevist lidhur me sigurimin e minimumit të procesit të punës.
Andaj Sindikata e Infermierëve të Kosovës bazuar në Ligjin për Grevat Nr. 03/L-200, njofton opinionin se gjatë zhvillimit të aktivitetit sindikal, duke filluar nga ora 08:00 deri në orën 09:00 nuk do të ofrohen shërbime infermierore në albulancat specialistike, shërbimet infermierore në klinika të QKUK-së ( përveq dhënies së terapisë për pacientët aktualisht të hospitalizuar dhe rastet emergjente ), shërbimet për rastet elektive do të shtyhen për 1 (një) orë, ndërsa bazuar në Ligjin për Grevat Nr. 03/L-200 në aktivitetin sindikal nuk do marrin pjesë shërbimi emergjent dhe shërbimet tjera ku puna është e domosdoshme për jetën dhe sigurinë e qytetarëve ose është kusht i pazëvendësueshëm i jetës dhe shëndetit të qytetarëve” – thuhet në paralajmërimin e djeshëm.
Protesta është mbajtur para Drejtorisë së Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK)./FolDrejt/