Presidenti francez Emmanuel Macron ka shprehur dëshirën e tij për të parë ish-trajnerin e Real Madridit, Zinedine Zidane, të kthehet në Francë për të marrë drejtimin e një skuadre në Ligue 1.
Vërejtjet e tij erdhën në mes të thashethemeve për interesin e mundshëm të Paris Saint-Germain për emërimin e Zidane si pasues të Mauricio Pochettino këtë verë, pavarësisht nga kontrata e këtij të fundit deri në vitin 2023.
“Jo, nuk kam folur me Zidane, por kam admirim të madh për të, si lojtar dhe trajner”, tha Macron për “RMC Sport” të mërkurën.
“Ai fitoi tre tituj të Champions League me Real Madridin, gjë që ne duam për klubet tona. Unë dua që ai të kthehet për të promovuar Francën. Shpresoj, për ndikimin në ligën franceze dhe për Francën, që të kthehet dhe të drejtojë një klub të madh francez, do të ishte mirë.
Roli im është të them se Franca është një komb i madh për sportin dhe futbollin, se ka njerëz të mëdhenj që e duan këtë sport. Është e rëndësishme për ne që të vijnë lojtarët më të mirë që kemi stërvitur, të cilët ndonjëherë kanë shkëlqyer në nivel ndërkombëtar.”
Megjithatë, mediat franceze theksojnë trajnerin e Nice, Christophe Galtier, si zëvendësuesin e mundshëm të Pochettino.
Ndërkohë, Macron pranoi pak ditë më parë se e këshilloi Mbappe të qëndronte në vend dhe të rinovonte kontratën me PSG-në mes interesimit të Real Madridit.
“Kam folur me Mbappen për ta këshilluar që të qëndrojë”, tha Macron./FolDrejt/