Instituti për Siguri, Integrim dhe Derikalizim (INSID), sot në Prishtinë ka lansuar kampanjën ‘MENDO’, raporton Fol Drejt.
Kampanja ‘MENDO!’, sipas drejtuesve të institutit, është krijuar për “të përkrahur sa më shumë të rinj në Kosovë të cilët mund të kenë sfida në jetën e tyre dhe janë në rrezik që të përfshihen në ekstremizëm ose veprimtari kriminale.”
Ceremoninë e hapi Arbër Vokrri nga INSID, i cili tha se ekipi i tij ka shkëmbyer përvoja me organizata simotra në tërë Evropën.
Në hapje të kampanjës ishte edhe Zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi e cila tha se kjo fushatë, si edhe iniciativat e ngjashme, janë të domosdoshme, meqë “fëmijët tanë janë të ekspozuar ndaj radikalizmit dhe ekstremizmit”.
Nga INSID Albert Berisha, ndërkaq tha se janë në përgatitje të një raporti të zgjeruar, mbështetur në një studim më të zgjeruar.
“Një ndër faktorët kryesor është ai ideologjik” – tha Berisha, duke shpjeguar më tej se keqpërdorimi i fesë ka ndikuar në radikalizimin e të rinjve.
Ai përmendi edhe faktorin politik, faktorin humanitar, faktorin sociopolitik, faktorin fetar, diskursin islamofobik etj.
Kampanja e lansuar sot, sipas drejtuesve të INSID, synon t’u dalë krah të rinjve që janë të rrezikuar të përfshihen në radikalizëm dhe ekstremizëm.
Të pranishëm në hapjen e kampanjës ishin edhe pjesëtarë nga Bashkësia Islame e Kosovës./FolDrejt/