Inspektorati i Policisë së Kosovës ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me Inspektoratin e Përgjithshëm të Forcave të Sigurisë të Republikës Çeke, raporton Fol Drejt.
“Kryeshefi i IPK-së z. Kushtrim Hodaj priti sot në takim në objektin e IPK-së delegacionin nga Republika Çeke në krye më Drejtorin e Përgjithshëm të Inspektoratit të Forcave të Sigurisë të Republikës Çeke z. Radim Dragoun.
Në kuadër të këtij takimi ku pjesëmarrës ishte edhe Zëvendës Ambasadori i Republikës Çeke në Kosovë z. Juraj Melioris, dy udhëheqësit e institucioneve homologe nga Republika e Kosovës dhe Republika Çeke nënshkruan Memorandumin për forcimin e bashkëpunimit në fushën e kontrollit të brendshëm.”, shkruan në komunikatën e IPK-së.
IPK njoftoi se Memorandumi parasheh përveç tjerash angazhimet e agjencive homologe për të rritur bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit e përvojës në fushën e parandalimit, zbulimit dhe hetimit të veprave penale, në veçanti, korrupsionit dhe veprave të lidhura me korrupsionin, si dhe në fushën e testeve të integritetit.
“Në kuadër të këtij memorandumi parashihet edhe organizimi i aktiviteteve të përbashkëta trajnuese, shkëmbimin e ekspertëve dhe specialistëve, organizimin e takimeve të punës dhe ngjarjeve të tjera (si konferenca dhe seminare) si dhe shkëmbimin e informacionit dhe njohurive me anë të mjeteve të komunikimit të pranuara reciprokisht.”, thuhet tutje në njoftim.
Aty u tha se gjatë takimit, delegacioni çek ka marrë informacione shtesë nga zyrtarët e IPK-së edhe për rolin dhe misionin ligjor të Inspektoratit Policor të Kosovës dhe angazhimet ndër vite. /FolDrejt/