Siç njofton Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Inspektorati i Tregut në vazhdën e inspektimeve të intensifikuara ka kryer edhe inspektime lidhur me verifikimin e sasisë dhe peshës së produkteve nëpër operatorët ekonomik në Republikën e Kosovës, transmeton Fol Drejt.
“Për ta hequr çdo dyshim lidhur me peshën dhe sasinë e produkteve mostrat janë dërguar në laborator për analiza përkatëse, pas të cilave ka rezultuar se një lloj i vajit ushqimor në treg nuk i plotëson kriteret.
Raporti i verifikimit nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, gjegjësisht laboratori i parapaketimeve ka konstatuar se një vaj ushqimor, i prodhuar në Serbi, nuk e plotëson kriterin e mesatares për sasi siç e parasheh rregullorja 03/2020 për produktet e parapaketuara”, thuhet në njoftimin e kësaj Ministrie.
Tutje, bëhet e ditur se si rrjedhojë Inspektorati i Tregut, si në çdo rast tjetër ka ndërmarrë masa në përputhje me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës, respektivisht operatorit ekonomik, importues i këtij vaji , i është ndaluar shitja e këtij produkti dhe tërheqja nga tregu në afat prej 15 ditësh./FolDrejt/