Kur ka pak ofertë e shumë kërkesë, çmimi hip. Kështu ndodhi edhe me çmimin e vajit të lulediellit, që të mërkurën u ngjit deri në 2 euro e 39 centë për litër, njofton Klan Kosova.
Qytetarët po ankohen si për shtrenjtimin, ashtu edhe mungesën e këtij artikulli.
Arsyeja kryesore pse u shtua kërkesa, janë lajmet e luftës që vijnë nga Ukraina. Në kësi situata, droja për mungesë ushqimesh shtohesh, e rrjedhimisht edhe vrulli për të bërë rezerva.
Mirëpo nuk dihet nëse stoqet janë pothuajse të zbrazëta sepse vërtetë nuk ka mjaft vaj. Burime nga Ministria e Tregtisë i thanë televizionit se inspektorët janë duke i hetuar tregtarët e këtij produkti nëse po e fshehin sasinë e tij.
Qeveritarja Rozeta Hajdari tha të mërkurën se shteti do të jetë vigjilent të mos lejojë mashtrime në kohë krize.