Gjatë vizitës së tij zyrtare në Shkup presidenti Ilir Meta ka takuar Drejtorin e Institutit Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit. Në këtë takim, Meta thekson se kanë folur për anëtarësimin në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Detajet i ka bërë me dije vetë Meta në rrjete sociale.
“I përzemërt dhe shumë i frytshëm takimi në Shkup me Drejtorin e Institutit Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit (IFIMES), z. Zijad Bećirović.
Në bisedën e hapur theksova se çelja sa më parë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe liberalizimi i vizave për Kosovën do të sillte kontribute konkrete dhe tepër pozitive për konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon, si dhe për prosperitetin e qytetarëve tanë. E pranova me kënaqësi edhe ftesën e tij për të ndarë këto qëndrime në një bashkëbisedim me përfaqësues të nderuar të IFIMES në Slloveni”, shkruan Meta. /abcnews.al