Inteligjenca artificiale mund të zgjedhë organe të përshtatshme për transplantim me saktësi shumë më të madhe se njerëzit, kanë njoftuar studiuesit britanikë që zhvillojnë teknologjinë e re.
Ekspertët kanë siguruar më shumë se 1 milion paund nga Instituti Kombëtar i Britanisë për Kërkime Shëndetësore (NIHR) për një projekt që përdor inteligjencën artificiale për të rritur numrin e organeve të disponueshme për transplantim, përcjell Fol Drejt.
Kirurgët aktualisht duhet të inspektojnë dhe vlerësojnë vizualisht nëse organet njerëzore janë të një cilësie të mjaftueshme për transplantim.
Metoda e re përdor inteligjencën artificiale dhe “memorien” e saj që përmban dhjetëra mijëra imazhe të organeve për të veçuar ato me shanset më të mira për një transplant të suksesshëm.
Grupi që qëndron pas teknologjisë, i njohur si Vlerësimi i Cilësisë së Organeve (OrQA), ka njoftuar se mund të nënkuptojë se 200 pacientë shtesë në MB çdo vit do të jenë në gjendje të marrin veshka të reja dhe njëqind e mëlçi të reja.
“Sapo një organ bëhet i disponueshëm, ai vlerësohet vizualisht nga ekipi kirurgjik, që do të thotë se organet nuk konsiderohen gjithmonë të përshtatshme për transplantim,” tha profesor Hasan Ugail, drejtor i Qendrës për Teknologjinë Vizuale të Universitetit Bradford, ekipi i të cilit është i përfshirë në analiza e imazhit.
Ai shtoi se aktualisht janë duke zhvilluar një algoritëm të sofistikuar të mësimit të makinerive që do të “trajnohet” duke përdorur mijëra imazhe të organeve njerëzore. Ai shpjegoi gjithashtu se në këtë mënyrë vlerësimi i imazheve të izoluara të organeve për transplantim do të bëhet më efikas sesa nëse do të bëhej vizualisht.
“Kjo përfundimisht do të thotë që një kirurg do të jetë në gjendje të krijojë një imazh të një organi të dhuruar, ta ngarkojë atë në OrQA dhe menjëherë të dijë se si ta përdorë atë më së miri”, shtoi profesori.
Një pjesë kryesore e OrQA do të jetë kërkimi i dëmtimeve dhe sëmundjeve të mëparshme.
Dr Colin Wilson, një kirurg transplanti në spitalin Newcastle upon Tyne, tha se deri më tani kirurgët nuk kishin pasur asnjë ndihmë me përzgjedhjen e organeve.
“Ky është një hap vërtet i rëndësishëm për profesionistët dhe pacientët, qëllimi i të cilit është të garantojë që organi i pacientit të transplantohet sa më shpejt të jetë e mundur”, shpjegoi ai, duke shtuar se “softueri që ata zhvilluan ‘vlerëson’ cilësinë e organit. dhe kërkon të ndihmojë kirurgët të vlerësojnë nëse organi është mjaftueshëm i shëndetshëm për transplantim”./FolDrejt/