Shërbimi Informativ i Sigurisë së Finlandës (SUPO) pretendon se anëtarësimi i ardhshëm në NATO do ta bënte Finlandën një “objektiv më interesant” për inteligjencën dhe operacionet ruse.
Ndërsa analiza e sigurisë nga SUPO i referohet faktit se qasja tradicionale kryesore e mbledhjes së inteligjencës ruse është inteligjenca njerëzore nën mbulimin diplomatik, pas luftës me Ukrainën, shumë diplomatë rusë u dëbuan nga Perëndimi dhe Moska kohët e fundit i është drejtuar hapësirës kibernetike dhe burimeve të tjera të inteligjencës, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në analizë, thuhet se të huajt që jetojnë ose vizitojnë Rusinë si dhe rusët që punojnë në vendet perëndimore, mund të konsiderohen si objektiva të mbledhjes së inteligjencës.
Në analizën ku pretendohet se bashkimi me NATO-n në të ardhmen do ta bënte Finlandën “objektiv më interesant” për inteligjencën dhe operacionet ruse, thuhet se Moska mund të bëjë përpjekje të marrë inteligjencë të lidhur me NATO-n përmes fqinjit të saj.
Finlanda, e cila aplikoi për anëtarësim në NATO me Suedinë në maj, ndan një kufi tokësor prej 1.340 kilometrash me Rusinë./FolDrejt/