Interpol të mërkurën i bëri thirrje publikut për të ndihmuar në identifikimin e trupave të 22 grave të vrarë në Gjermani, Holandë dhe Belgjikë gjatë një periudhe prej disa dekadash dhe identitetet e të cilave nuk janë vërtetuar kurrë.
Interpoli kërkon të zgjidhë ato “raste të harruara” të vrasjeve të grave që ndodhën 10, 20, 30 e madje 40 vjet më parë dhe nisi një operacion të quajtur “Identify Me”, përcjell Fol Drejt.
Rasti më i vjetër daton në tetor të vitit 1976, kur trupi i një gruaje të panjohur u gjet në një parking pranë një autostrade në Holandë, dhe i fundit është i gushtit 2019 dhe ka të bëjë me një grua, trupi i së cilës u gjet në një qytet në Belgjikë.
Policia kombëtare nuk i identifikoi viktimat edhe për faktin se këto gra nuk vijnë nga vendet ku u vranë.
Për secilën nga 22 viktimat do të publikohen fotografi të bëra me ndihmën e teknologjisë së rindërtimit të fytyrës, si dhe informacione se kur janë gjetur kufomat, së bashku me sendet personale të gjetura me viktimat.
“Nëse ju kujtohet një mik, anëtar i familjes apo kolegu që është zhdukur papritur, ju lutemi hidhini një sy mirë dhe kontaktoni policinë kombëtare përmes formularit nëse keni ndonjë informacion për të zhdukurit”, thuhet në faqen e internetit të Interpolit.
François-Xavier Laurent , kreu i bazës së të dhënave të ADN-së në Interpol, i tha AFP se supozohet se disa nga gratë e vrarë janë nga vendet e Evropës Lindore.
“Mund të jenë gra që kanë shkuar në një udhëtim turistik, por ka mundësi që të jenë edhe viktima të trafikantëve të qenieve njerëzore”, tha Laurent.
Rastet nuk kanë lidhje, por ato ndajnë një “kontekst ndërkombëtar”, shtoi ai./FolDrejt/