Blendi Fevziu është drejtues i emisionit Opinion, i cili transmetohet tash e 25 vjet. Fevziu, ndër vite ka qenë kryeredaktor i disa gazetave, është autor i dhjetëra librave, dhjetëra dokumentarëve e qindra emisioneve televizive. Në këtë intervistë dhënë për FolDrejt.com, ai flet për gazetarinë, letërsinë, udhëtimet e komunizmin në Shqipëri.
Intervistoi: Ardit Mehmetaj
A.M: Punoni thuajse që tri dekada e gjysmë si gazetar dhe tani mund të konsideroheni si veteran i gazetarisë. Si e shihni zhvillimin e gazetarisë në këto 32 vitet pas rënies së komunizmit?
B.F: Të ndryshme si çdo sektor tjetër i jetës në Shqipëri. As më e mirë as më e keqe. Por me shumë ndryshim padyshim.
A.M: Mënyra se si e kultivoni gazetarinë është shumë kreative dhe e veçantë njëkohësisht. A kishe ndonjë inspirim në fillimet tuaja?
B.F: Jo, nuk kisha. Në fillimet e mia gazetaria nuk ishte një fushë që lëvrohej në stilin dhe konceptin që e kemi ne sot, ishte krejt e kundërta. Ishte më shumë analitike – ideologjike se sa informative. Kështu që thuajse nuk dija asgjë.
A.M: Sa kanë liri mediet në Shqipëri nëse i vëmë në krahasim me shtetet tjera ballkanike?
B.F: Nuk është se e njoh kaq mirë situatën në vendet e tjera të Ballkanit, por nga sa kam parë më rezulton disi me shumë se sa mediat në Serbi p.sh.
A.M: E keni përsëritur shpesh se emisioni më i rëndësishëm dhe me të cilin krenoheni më së shumti dhe kushtimisht deri më tani ka qenë i patejkalueshëm është debati mes Nanos dhe Berishës, i cili u zhvillua në fillim të vitit 2002. Keni provuar të bënit një debat mes Ramës dhe Berishës, i cili ndoshta do ta tejkalonte të parin për nga rëndësia?
B.F: E para nuk ia kalon dot për hir të rrethanave specifike. Rama e Berisha përballen edhe në parlament, kanë pas edhe takime mes tyre. Në 31 Janar 2002 kur u bë debati Nano-Berisha këta të dy kishin 11 vjet që as nuk ishin takuar as nuk ishin përballur me njëri-tjetrin. Ishte kthyer në një lloj sfide që minimalisht të qëndronin përballë. Ndërkohë që t’i kthehem pyetjes, po, në 2009, por ishte e pamundur. Dhe do të bëhet më shumë e tillë.
A.M: Mediet dhe gazetarët në Shqipëri shpeshherë kanë marrë rolin e opozitës në Shqipëri, gjë që është e mirë, por a mendoni se kjo është më e theksuar atje ndoshta edhe për shkak të mungesës së një opozite konstruktive?
B.F: E para unë nuk mendoj se opozita është destruktive në Shqipëri. Ka pasur probleme të brendshme dhe kjo e ka dobësuar, por nuk ka lidhje me destruktivitetin. E dyta gazetarët kanë qëndrime të afishuara politike (së paku një pjesë) dhe janë brenda bindjeve të tyre.
A.M: Si ndjeheni sot kur shihni pas vetës gjithë atë veprimtari dhe karrierë në një kohë uraganesh siç do të thoshte Zef Pllumi?
B.F: Ndihem me fat që kam jetuar atë kohë!
A.M: Keni shëtitur thuajse në tërë botën, njëkohësisht keni përjetuar aventura të shumta e keni parë kultura të ndryshme. Sa ka qenë motivacion në këtë pjesë Iljaz Toptani për të cilin tek libri “Tirana e Nonës” thoni se ka qenë heroi i fëmijërisë suaj?
B.F: Ai ka qenë një personazh tejet intrigues e vijon të mbetet i tillë. Mahnitës do thoja. Por jo me udhëtimet. Udhëtimet e tij kanë qenë një stil tjetër që unë nuk mund ta imitoj. Ai qëndronte gjatë në vende të largëta, bëhej pjesë e atyre shoqërive, integrohej aty. Unë udhëtoj shkurt dhe për kënaqësinë dhe kuriozitetin tim.
A.M: Cilat vende ju kanë pëlqyer dhe keni kaluar më së miri dhe nga cilat vende jeni ndarë i zhgënjyer aq shumë sa s’do të shkoje më?
B.F: Afrika është dashuri dhe urrejtje. Aty janë vendet që mund të magjepsesh dhe vendet ku zhgënjehesh shumë thellë.
A.M: Keni disa emisione të cilat promovojnë turizmin në Shqipëri, madje personalisht kam vizituar shumë vende në Gjirokastër, Berat, Shkodër e Durrës me rekomandimet tuaja përmes emisionit “Opinion”. Cilat janë tri vendet që do të ia sugjeroje një të huaji për ta parë dhe për ta njohur më mirë Shqipërinë?
B.F: Shqipëria ka shumë shumë më tepër se 3 vende. Së paku 4 janë pasuri e Unesco-s. Nëse më jep pak më shumë kohë, do thoja që Gjirokastra e Berati janë fantastike. Korça e Pogradeci po ashtu. Veriu dhe Verilindja janë magjike. Ndërkohë bregdeti i Jugut me gjithë fshatrat e tij po ashtu. Por me siguri kam harruar të tjera. Psh Përmeti me kishën e Leusës apo Butrinti.
A.M: Numri i librave që keni shkruar tashmë është dyshifror. Çka simbolizon akti i të shkruarit për ju?
B.F: Në një farë mënyre mënyrën se si funksionoj.
A.M: Shumë emisione i keni kushtuar komunizmit, madje keni bërë edhe dokumentar e keni shkruar libra për atë kohë që nga shumë njerëz konsiderohet e errët. A mendoni se trauma e asaj kohe po i përcjell shqiptarët ende në mënyrë subkoshiente e koshiente? Kemi ikur nga ajo frymë apo vazhdon të dominojë ende çdo reflektim tonin?
B.F: Patjetër. 46 vitet e komunizmit kanë ndikuar fort në krijimin e një mendësie të mbrapshtë dhe problematike. Kalimi në një mendësi të re mund të kërkojë dekada.
A.M: Kosova dhe Shqipëria kanë probleme të theksuara me emigrimin. Si e shpjegoni këtë fenomen?
B.F: Jo vetëm Kosova dhe Shqipëria. Bullgaria është vendi i parë në Europë. Serbia dhe Kroacia po ashtu. Greqia së fundmi po e ndjen shumë. Emigrimi, sidomos ky lloj emigrimi modern është pjesë e globalizmit. Ballkanasit ndihen më afër kulturalisht me Europën Perëndimore. Shumë më afër se Aziatikët apo Afrikanët. Kjo i favorizon ata në një Europë ku vendet bosh të punës po shtohen në mënyrë të frikshme dhe ku pagesat dhe kushtet e jetesës janë shumë më të mira se në Ballkan.
A.M: Njiheni edhe si lexues i madh. Madje e keni mbaruar edhe gjuhën e letërsinë shqipe, ku një nga detyrat në letërsi është “të lexosh sa më shumë e sa më mirë”. Cilat janë tri librat që do t’ia propozoje lexuesit tonë?
B.F: Këtu e kam shumë vështirë të bëj dallime. Por magjpesja ime ka qenë në rini Kadareja. Jam i bindur se çdo i ri që do ta lexonte do ta pasuronte ndjeshëm botën e tij shpirtërore dhe intelektuale. Dhe po zgjedh 3 libra të tij që nuk duhen humbur: “Pallati i Endërrave”, “Kronikë në Gur” dhe “Viti i Mbrapshtë”.
A.M: Për fund, keni ndonjë plan për të ardhmen? Do të botoni diçka?
B.F: Kjo është e vetmja gjë ë sigurtë. Kam disa projekte në duar./FolDrejt/