Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një zyrtar policor të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton Fol Drejt.
“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë arrestuar sot një zyrtar policor (me gradën e rreshterit policor) me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit” lidhur me nenin 33 (ndihma).”, shkruan në komunikatën e IPK-së.
Në njoftim theksohet se hetuesit e IPK-së kanë pranuar informacionet e para rreth dyshimeve për përfshirjen e tij në këtë rast.
Pas pranimit të këtyre informacioneve, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë kanë ndërmarrë veprime hetimore pas të cilave zyrtari policor i dyshuar në këtë rast është arrestuar kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
“Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe Kodit të Procedurës Penale.”, thuhet tutje në njoftim. /FolDrejt/