Irani ka konfirmuar se nuk ka marrë ende një përgjigje nga Shtetet e Bashkuara për propozimet e fundit për të rivendosur marrëveshjen e tyre bërthamore të vitit 2015, duke fajësuar Uashingtonin për mosveprim.
“Ajo që ka rëndësi deri më tani është zvarritja nga pala amerikane për të ofruar një përgjigje”, u tha gazetarëve të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Nasser Kanani, shkruan Al Jazeera.
“Ne vepruam në kohë dhe gjithmonë kemi treguar se kemi vepruar me përgjegjësi në bisedimet bërthamore”, tha ai.
Një javë më parë, Irani paraqiti përgjigjen ndaj një “teksti përfundimtar” të qarkulluar nga Bashkimi Evropian pas raundit të fundit të bisedimeve me palët e interesuara – domethënë Kinën, Francën, Gjermaninë, Rusinë dhe Mbretërinë e Bashkuar – në Vjenë.
ShBA ka thënë se po shqyrton tekstin dhe është në kontakt me aleatët e saj.
Të hënën, shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell, tha se përgjigja e Iranit ndaj propozimit të BE-së ishte “e arsyeshme”.
Ndërkohë, kanë dalë në pah detaje të pakonfirmuara për një marrëveshje të mundshme, për të cilën asnjëra palë nuk ka komentuar zyrtarisht.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane të hënën tha se “progres relativisht i mirë” u arrit në fillim të këtij muaji gjatë raundit të fundit të bisedimeve që filloi fillimisht në prill të vitit 2021, por një marrëveshje do të materializohet vetëm kur të bien dakord për të gjitha çështjet.