Një protestues i dytë është dënuar me vdekje në Iran për përfshirje në “luftë rrugësh” mes protestave disamujore që vazhdojnë në këtë vend.
Duke u bazuar në burime nga gjyqësori i Iranit, agjencia e lajmeve ‘Mizan’ raportoi se protestuesi, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, u përfshi në “luftë rrugësh duke nxjerrë një armë të ftohtë në një mënyrë që shkakton terror”, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Më tej, thuhet se i pandehuri “terrorizoi njerëzit në rrugë me armë të ftohtë, i vuri zjarrin motoçikletës së një qytetari dhe sulmoi e plagosi një person me thikë”.
Burimi tha se vendimi është fillestar dhe mund të kundërshtohet në gjykatën e apelit.
Deri më tani, dy persona janë dënuar me vdekje pas fillimit të proceseve gjyqësore në lidhje me protestat e përhapura në mbarë vendin si pasojë e vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini në muajin shtator gjatë kohës kur ishte në paraburgimin e policisë morale të Iranit.
Të dielën, gjyqësori i Iranit dha dënimin e parë me vdekje kundër një protestuesi në lidhje me protestat anti-qeveritare në vend.
Protestuesi u akuzua për “vënien e zjarrit në një godinë qeveritare” dhe “prishje të rendit dhe qetësisë publike, mbledhjes dhe bashkëpunimit për të kryer krime kundër sigurisë kombëtare dhe luftës dhe korrupsionit në vend”.
Pesë të pandehur të tjerë, tha gjyqësori, u dënuan nga 5 deri në 10 vjet me akuzat për “tubim dhe bashkëpunim për të kryer krime kundër sigurisë kombëtare dhe prishje të rendit dhe qetësisë publike”.
Autoritetet iraniane akoma nuk kanë dalë me numrin zyrtar të vdekjeve në protestat mbarëkombëtare, por vëzhguesit e pavarur kanë njoftuar për mbi 250 viktima, përfshirë civilë dhe policë.
Raportuesi i posaçëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) për situatën e të drejtave të njeriut në Iran, Javaid Rehman, javën e kaluar tha se afër 14 mijë persona janë arrestuar që nga shtatori.
Autoritetet iraniane e kanë hedhur poshtë këtë pretendim, përshirë edhe raportet në mediat sociale për mijëra njerëz që përballen me ekzekutim.
Pretendimi se 15 mijë persona janë dënuar me vdekje për shkak të protestave u nda nga shumë liderë dhe aktivistë botëror, duke përfshirë kryeministrin kanadez, Justin Trudeau, i cili më vonë fshiu postimin në Twitter.
Dy dënimet me vdekjen vijnë disa ditë pasi shefi i drejtësisë iraniane, Mohseni Ejei, bëri thirrje për përshpejtimin e rasteve gjyqësore në lidhje me protestat.
Javëve të fundit, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë vendosur një sërë sanksionesh ndaj zyrtarëve dhe subjekteve iraniane për atë që ata e quajnë “shtypje brutale të protestave”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Nasser Kanaani, nga ana e tij, dënoi sanksionet, duke i cilësuar “të paligjshme dhe ndërhyrje” në punët e brendshme./FolDrejt/