Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian, u takua në Doha me Emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al-Thani, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Sipas një deklarate me shkrim nga Ministria e Jashtme iraniane, në kuadër të një vizite zyrtare dyditore në vendet e Gjirit, ministri Abdollahian vizitoi Katarin dhe u prit në një takim nga Emiri i Katarit, Al-Thani.
Në takim u diskutua mbi negociatat për programin bërthamor që vazhdojnë në Austri, zhvillimet në Afganistan dhe Jemen, si dhe u shkëmbyen pikëpamjet për marrëdhëniet politike, të sigurisë, ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve.
Abdollahian ka vënë në dukje rëndësinë e krijimit të hapësirave të bashkëpunimit reciprok me Katarin në fushën e ekonomisë, ndërsa Emiri i Katarit krahas marrëdhënieve dypalëshe ka theksuar se dëshirojnë të zgjerojnë bashkëpunimin mes dy vendeve lidhur me çështjet rajonale.
Ministri iranian Abdollahian zhvilloi në Doha një takim edhe me ministrin e Jashtëm të Katarit, Mohammed bin Abdurrahman Al-Thani. Në kuadër të vizitës dyditore në vendet e Gjirit, Abdollahian dje vizitoi Omanin.